Qeveria e re gjermane do të përbëhet nga tre parti: Unioni Kristian-Demokrat CDU, Partia Socialdemokrate, SPD si edhe Unioni Kristian-Social, CSU.
Drejtuesit e tyre prezantuan në Berlin marrëveshjen e tyre për bashkëqeverisje. Kryetari i CDU-së dhe kancelari i ardhshëm i mundshëm, Friedrich Merz, e cilësoi dokumentin si një sinjal të qartë për Europën dhe një garanci se “Europa mund të mbështetet te Gjermania”.
Marrëveshja përfshin përpjekjet për një reformë të ekonomike dhe sociale. Për të ndezur motorin e ekonomisë gjermane që tashmë ka hyrë në vitin e tretë të recesionit, parlamenti gjerman kishte miratuar më parë një paketë masash qindra milionëshe.
Por tarifat e presidentit amerikan e detyrojnë koalicionin e mundshëm të ardhshëm që të marrë masa shtesë për lehtësimin e industrisë: Për shembull duke ulur taksat për sipërmarrjet, reduktimin e tatimeve mbi energjinë dhe përjashtimin nga tatimi të orëve shtesë të punës. Por aty vihet re dhe një ashpërsim i ndjeshëm i politikës së emigracionit.
Merz njoftoi masa të reja si kontrollet dhe kthimet në kufi, përfundimin e programeve të pranimit vullnetar, si për shembull për refugjatë nga Afganistani, dhe pezullimin e bashkimit familjar për refugjatët e luftës.
“Ukrainasit që do të vijnë tani e tutje në Gjermani nuk do të përfitojnë automatikisht ndihma sociale. Ligji i shtetësisë do të ndryshojë gjithashtu. Nuk do të ketë më shtetësi të përshpejtuar pas vetëm tre vitesh qëndrimi në Gjermani”, shprehet Merz.
Koalicioni synon gjithashtu të kufizojë rregulloren e Ballkanit Perëndimor, e cila deri më tani lejonte ardhjen e rreth 50 mijë punëtorëve të pakualifikuar në vit. Numri do të përgjysmohet në 25 mijë. Si tregues i ashpërsimit të qëndrimit Ministria e Brendshme do t’i kalojë partisë bavareze Unionit Kristian-Social, CSU.
Procesi i Berlinit megjithatë do të vazhdojë të mbetet i rëndësishëm dhe do të vijojë të jetë një platformë aktive për t’u ofruar vendeve të rajonit perspektiva të qarta dhe të qëndrueshme për anëtarësim në BE.