Zgjedhjet lokale, takohen sot grupet e punës të koalicionit VLEN

Për sot është planifikuar takim i ri mes grupit punues të koalicionit VLEN për atë se si do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të tetorit. Ky takim vijon pasi të premten liderët e këtij koalicioni, u dakorduan që të vazhdojnë negociatat. Kreu i ASH-së, Arben Taravari, së fundmi mohoi se ka pasur komunikime me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa ka mohuar edhe se ka braktisur VLEN-in. Grupi i punës tani duhet të hartojë të gjitha kombinimet rreth komunave dhe listave për këshilltarë, në kuadër të daljes së përbashkët në zgjedhje lokale. Për momentin oferta në Tavolinë për Taravarin është 35 % të kandidatëve për kryetarë dhe këshilltarë komunash. Taravarit, i është ofruar të nxjerrë kandidat në Gostivar, Strugë dhe Vrapçisht, të zgjedh një kandidat mes komunave Likovë, Haraçinë dhe Studeniçan, si dhe një kandidat mes Bërvenicës dhe Çashkës. Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe BESA do të kenë nga tre kandidatë me gjasa të fitojnë komunat. Në intervistën e fundit për Alsat, kreu i LD-së, Izet Mexhiti, i dha afat Taravarit një javë për të vendosur nëse do të vazhdojë me VLEN-in apo me BDI-në. /Alsat.mk

Marketing