Komuniteti i biznesit ndihmon në përmirësimin e kushteve në arsimin e lartë, dhuron pajisje bashkëkohore industriale për Fakultetin e Makinerisë në Shkup

Fakulteti i Makinerisë në Shkup mori donacion pajisje bashkëkohore industriale të destinuara për Laboratorin për teknologji dhe procese prodhuese. Bëhet fjalë për makina metalprerëse CNC në vlerë prej 72 mijë euro, të cilat i dhuron kompania LTH Learnica Ohër e cila përmirëson ndjeshëm mësimin praktik për studentët.

Në ngjarjen e organizuar me rastin e dorëzimit të pajisjeve fjalim mbajti edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila i bëri thirrje komunitetit të biznesit që të marrin pjesë më shumë në përmirësimin e kushteve në sistemin arsimor në Maqedoni, veçanërisht në arsimin e lartë.

„Shoqëria ka nevojë për inxhinierë, të trajnuar mirë, të cilët mund të përfshihen menjëherë në proceset e punës së kompanive. Për të krijuar pikërisht fuqi punëtore të tillë të përgatitur, është i nevojshëm bashkëpunimi ndërmjet arsimit të lartë dhe sektorit të biznesit. Këtu ne e shohim atë bashkëpunim dhe mund ta tregoj si shembull dhe të bëj thirrje publike që të rrjetëzohen sa më shumë fakultete dhe kompani. Kjo do të thotë përforcimi i sistemit arsimor, por edhe atij industrial në vend”, theksoi Janevska.

Ministrja gjithashtu potencoi se sinergjia ndërmjet sektorit privat dhe komunitetit akademik sjell përfitime për të gjithë shoqërinë. Investimet në mjete moderne arsimore, pavarësisht se nga vijnë, nuk janë vetëm investime në infrastrukturë, por edhe në të ardhmen e brezave të rinj.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se janë të nevojshme përmirësime në arsimin e lartë, ndërsa me të edhe investime më serioze, para së gjithash në pajisje laboratorike. Qeveria tashmë punon në hartimin e infrastrukturës shkencore-kërkimore të universiteteve, ndërsa pas saj do të pasojnë investime. Buxheti i shkencës këtë vit është pothuajse dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar dhe arrin në 680 milionë denarë, ndërsa një pjesë e këtyre mjeteve do të shfrytëzohen për fuqizimin e resurseve laboratorike”, shtoi ministrja.

Janevska informoi se aktualisht janë duke u hartuar dy zgjidhje të reja ligjore për arsimin e lartë dhe veprimtarinë kërkimore-shkencore. Siç tha ajo, do të inkurajojnë rritjen e aktivitetit kërkimor- shkencor të kuadrit mësimor në arsimin e lartë, e cila sërish, pritet të mundësojë pozitë më të mirë të universiteteve të Maqedonisë në rang-listat relevante ndërkombëtare.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Marketing