U tall me pasagjerët duke thënë se kishte bombë në çantë, gruaja nxirret nga aeroplani përpara nisjes

Një incident i pazakontë ka ndodhur në aeroportin ndërkombëtar Soekarno-Hatta në Xhakarta të Indonezisë, ku një grua e moshuar është nxjerrë nga aeroplani pak para nisjes, pasi bëri një deklaratë të rreme për praninë e një bombe në çantën e saj.

Pamjet e publikuara në rrjet tregojnë momentin kur gruaja, e shoqëruar nga punonjës të sigurisë dhe personel i aviokompanisë, largohet qetësisht nga avioni, duke marrë sendet e saj personale, pa bërë asnjë koment.

Ngjarja ndodhi pasi e moshuara i kishte thënë një stjuardeseje se kishte një bombë në bord. Kjo deklaratë aktivizoi menjëherë protokollet e sigurisë. Stafi njoftoi pilotin dhe autoritetet përkatëse, të cilat reaguan pa vonesë.

Pas verifikimeve të kryera nga autoritetet, u konstatua se gruaja nuk mbante asnjë mjet të rrezikshëm me vete. Incidenti është trajtuar si një alarm i rremë, ndërkohë që nuk është bërë e ditur nëse ndaj saj do të ndërmerren masa ligjore.

Autoritetet ajrore u bëjnë thirrje udhëtarëve të mos bëjnë shaka me çështje të sigurisë, pasi deklarata të tilla mund të shkaktojnë panik dhe vonesa të konsiderueshme në fluturime.

Marketing