‘Fjalët janë forca jote’ – Trajnim për maturantët nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e UT- së në Ditën Botërore të Librit

Në një atmosferë të mbushur me dashurinë për fjalën dhe librin, Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës organizoi trajnimin me titull: “Fjalët janë forca jote, përgatitu t’i përdorësh me mjeshtëri”, kushtuar maturantëve të shkollave të mesme.
Ky aktivitet u zhvillua në një datë të veçantë, 23 prill, që njihet ndërkombëtarisht si Dita Botërore e Librit, duke vënë në qendër rëndësinë e leximit, fuqinë e shkrimit dhe pasurinë kulturore që mbart gjuha.
Trajnimin e hapi dekani i Fakultetit Filologjik, prof. dr. Berton Sulejmani, i cili përshëndeti të
pranishmit dhe theksoi rëndësinë e gjuhës dhe letërsisë në formimin e individit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar: “Ju ndodheni në një moment ndarjeje, po mbyllni një kapitull katërvjeçar përplot përpjekje, përvoja, mësime e ëndrra. Tani përpara jush hapet një derë e re, një cikël i ri i dijes, i pjekurisë dhe i vendimeve që do të formësojnë të ardhmen tuaj.”
Duke folur për rolin e këtij trajnimi, ai shtoi:
“Ky trajnim është pjesë e përkushtimit tonë institucional. Ne nuk i presim studentët e rinj thjesht si numra në një listë regjistrimi, ne u hapim dyert me përkushtim dhe kujdes, që hyrja e tyre në universitet të mos jetë vetëm një formalitet, por një nisje e vërtetë drejt dijes, pjekurisë dhe formimit të tyre si mendje të lira.”
Në vijim, prof. dr. Vjollcë Berisha mbajti një ligjëratë të detajuar mbi përmbajtjen themelore të provimit të maturës shtetërore në lëndën e Gjuhës shqipe dhe letërsisë, duke ndarë njohuri mbi autorët më përfaqësues të letërsisë shqipe dhe botërore, si dhe mbi rregullat gramatikore e drejtshkrimore të gjuhës sonë.
Më pas, mr. sc. Kaltrina Sadiki ligjëroi për mënyrën se si të shkruhet një ese cilësore, duke ofruar këshilla praktike për strukturimin e mendimit, qartësinë e qëndrimit dhe përdorimin e gjuhës në mënyrë të argumentuar e tërheqëse.
Në shenjë vlerësimi për punën dhe përkushtimin e mësimdhënësve të Gjuhës shqipe në shkollat e mesme, dekani i Fakultetit Filologjik prof. dr. Berton Sulejmani, ndau mirënjohje për profesorët që e kanë ligjëruar këtë lëndë gjatë katër viteve të shkollimit për maturantët.
Aktiviteti u mbyll me konkursin me ese, ku të gjithë pjesëmarrësit patën mundësinë të tregojnë aftësitë e tyre krijuese dhe analitike. Tri esetë më të mira të përzgjedhura nga komisioni vlerësues do të botohen në revistën studentore “Përtej”.
Rezultatet e konkursit dhe emrat e fituesve mund t’i gjeni në vjegëzën e mëposhtme.
Linku:  https://rb.gy/br82ky

Marketing