Drejtori i MEPSO, Burim Latifi njoftoi se është hapur tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e interkoneksionit 400 kV mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, shkruan TV21.
Latifi tha se për projektin në fjalë është anuluar marrëveshja me kontraktuesin paraprak, pasi siç theksoi, nga 269 themele e parapara për shtylla të transmetimit, ishin përfunduar vetëm 24, me justifikime për fonde shtesë.
Latifi tha se projekti është kyç për stabilitetin elektroenergjetik të vendit, ndërsa e cilësoi si hap themelor drejt përfundimit të korridorit energjetik lindje-perëndim, që lidh Bullgarinë, RMV-në, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Italinë.
https://www.facebook.com/tv21hd/videos/8880519848714378/?ref=embed_video
“Parashikohet ndërtimi i rreth 100 km linjë transmetimi ajror, nga Stacioni Transformator Manastir II, deri në kufirin maqedonaso-shqiptar. Projekti vlerësohet të kushtojë rreth 17 milionë euro, i financuar përmes kredisë dhe grandeve nga BERZH dhe Fondet Europiane. Afati për dorëzimin e ofertave është 45 ditë, ndërsa zgjidhja e ofertuesit më të favorshëm pritet në tre mujorin e tretë të këtij viti, me fillimin e realizimit, të planifikuar për fillim të vitit 2026”, tha mes tjerash Latifi, duke shtuar se pret që projekti të përfundojë në vitin 2027./ tv21.tv