ShA MEPSO ka shpallur një tender të ri ndërkombëtar për ndërtimin e interkoneksionit 400 kV midis Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, një projekt me rëndësi kyçe për integrimin rajonal dhe stabilitetin energjetik të vendit tonë. Bëhet fjalë për një tender me të cilin ShA MEPSO, së bashku me partnerin strategjik BERZH-in, vendos një model të ri të procedurave transparente dhe profesionale, një prokurim publik i bazuar në kriteret më të larta për performancën teknike, cilësinë dhe aftësinë financiare.
“Më vjen keq që për më shumë se tre dekada, pavarësisht pluralizmit politik dhe ndryshimeve demokratike, nuk ka pasur guxim dhe vizion institucional për të krijuar një lidhje elektroenergjetike me Shqipërinë. Sot, ne po korrigjojmë këtë mungesë historike. Puna jonë udhëhiqet nga një vizion për zhvillim të qëndrueshëm, stabilitet institucional dhe përforcim të besimit të publikut në kapacitetin e shtetit për të zbatuar projekte me interes më të lartë nacional. Jam i bindur se të gjithë së bashku, me një vizion dhe përkushtim të përbashkët, do të ndërtojmë një sistem elektroenergjetik modern, efikas dhe të qëndrueshëm, që do t’Ju shërbejë gjeneratave të ardhshme” deklaroi në konferencën për shtyp në Qeveri, drejtori general i ShA MEPSO, z.Burim Latifi.
Duke treguar vendosmëri dhe integritet, kjo udhëheqësi e ShA MEPSO, potencoi ai, ka anuluar kontratën me kontraktorin e mëparshëm, Energoprojekt nga Bosnja dhe Hercegovina, për shkak të një sërë shkeljesh të konstatuara.
U ballafaquam me një projekt seriozisht të lënë pas dore: nga 269 themele të planifikuara për shtyllat e linjës së transmetimit, ishin përfunduar vetëm 24, gjë që tregon qartë nëse ka pasur seriozitet për përfundimin e projektit. Në kundërshtim me kontratën sipas FIDIC, kontraktori, përmes kërkesave të pajustifikuara për mjete shtesë dhe braktisjes së njëanshme të terrenit, ka rrezikuar projektin dhe interesin publik. Sa u përket mjeteve financiare, tashmë janë paguar 5.8 milionë euro për kontraktorin e mëparshëm, nga të cilat rreth 2,5 milionë euro janë kthyer përmes garancive bankare. A do të thotë kjo se anulimi i kontratës ka pasoja financiare? Jo, mjetet janë dhënë për prokurim të pajisjeve që janë pronë e jona,” shtoi z. Latifi.
Projekti parashikon ndërtimin e rreth njëqind kilometrave largpërçues me linjë mbitokësore nga trafostacioni Manastir 2 deri në kufirin Maqedoni-Shqipëri. Vlera e parashikuar e projektit është rreth 17 milionë euro, e financuar përmes kredisë dhe granteve nga BERZH-i dhe fondet evropiane. Afati për dorëzimin e ofertave është 45 ditë, ndërsa zgjedhja e ofertuesit më të favorshëm pritet në tremujorin e tretë të këtij viti, me fillimin e zbatimit në fillim të vitit 2026 dhe përfundimin deri në fund të vitit 2027.
Ndërtimi i linjës 400 kV përfaqëson më shumë se sa ndërtim të një infrastrukture energjetike; është një hap themelor drejt përfundimit të korridorit rajonal energjetik Lindje-Perëndim, i cili lidh Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Italinë përmes një kablli nënujor. Ndërtimi i këtij interkoneksioni do ta pozicionojë sistemin tonë si një pjesë thelbësore e infrastrukturës elektroenergjetike evropiane, duke mundësuar pjesëmarrje stabile në tregjet rajonale, qasje në shërbime sistemike dhe balancuese, si dhe sigurimin e një furnizimi më të sigurt dhe më ekonomik për të gjithë qytetarët. Në këtë mënyrë, Maqedonia e Veriut konfirmon edhe një herë ambicien e saj strategjike: të bëhet nyje energjetike në Ballkan.
https://www.facebook.com/share/r/1Qvg7pgNcE/