VMRO-DPMNE ngre pyetje publike: “A e ka marrë Bujar Osmani udhëheqjen e BDI-së, ndërsa Ali Ahmeti është tërhequr? A bëhet fjalë për një marrëveshje të brendshme, një tranzicion apo ambicie personale të Osmanit? Apo ndoshta ai tani është vetëm zëdhënës i partisë?”
Sipas deklaratës së VMRO-DPMNE-së, Bujar Osmani duhet ta dijë – dhe me siguri e di – se vendi i vetëm ku duhet të përfundojnë funksionarët e korruptuar të BDI-së është përballë drejtësisë.
Ata e krahasojnë strukturën e sotme të Osmanit me “klanet serbe” të errëta, duke pretenduar se BDI përpiqet të dëmtojë institucionet për të fshehur “dosjen e errët 20-vjeçare”. Ata e akuzojnë partinë për gjuhë të urrejtjes dhe përpjekje për frikësim pa fuqi reale për të ndikuar në drejtësi.
VMRO-DPMNE e quan Osmanin një “ministër të dështuar” që ka heshtur përpara skandaleve të BDI-së dhe tani përpiqet të rikthehet përmes “patriotizmit të rremë dhe frikësimit të qytetarëve”.
Në deklaratë thuhet më tej:
– Pse heshti gjatë shantazheve nga Bullgaria?
– Pse u degradua pozita ndërkombëtare e shtetit?
– Pse për 20 vite BDI e përdori pushtetin vetëm për qëllime personale dhe partiake?
VMRO-DPMNE thekson se politika e jashtme është kompetencë e qeverisë dhe nuk i takon asnjë partie ta kontrollojë. Ata shtojnë se shteti nuk është pronë private e BDI-së dhe mjaft më me politikanë që e shohin shtetin si “pronë etnike”.
“Jemi të gjithë qytetarë të barabartë të këtij shteti. Mjaft më me gënjeshtra për ‘botën serbe’, ‘Shqipërinë e Madhe’ dhe manipulime të tjera që Osmani dhe BDI i kanë përdorur për të ruajtur pushtetin e tyre”, thuhet në reagim.
Në fund, VMRO-DPMNE kërkon përgjigje publike nga Osmani për:
Kush i dha të drejtën të nënshkruajë propozimin francez pa konsensus?
Kush i dha të drejtën të heshtë përballë korrupsionit në BDI?
Kush i dha të drejtën të ndajë shqiptarët në “të vërtetë” dhe “tradhtarë”?