Pas pjesëmarrjeve të suksesshme në festivalin ndërkombëtar në Dubai dhe në Pamukale të Turqisë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Ibe Palikuqi” ka nisur sot udhëtimin drejt qytetit bregdetar Bodrum, ku do të marrë pjesë në një tjetër festival ndërkombëtar prestigjioz.
Prezantimet mbresëlënëse në skena ndërkombëtare po japin frytet e tyre, duke shtuar ftesat për të përfaqësuar kulturën shqiptare në aktivitete të rëndësishme jashtë vendit. Valltarët e ansamblit janë të përgatitur dhe të motivuar, të vendosur për të sjellë me dinjitet dhe profesionalizëm vallen dhe trashëgiminë tonë kombëtare në skenat ndërkombëtare.
Përkushtimi dhe cilësia artistike e “Ibe Palikuqi”-t vazhdojnë të dëshmojnë se ky ansambël është një nga shtyllat kryesore të promovimit të identitetit dhe kulturës shqiptare, duke u njohur tashmë gjerësisht si një e vërtetë “Shkollë e Kulturës Shqiptare”.