Gashi: Politika pa kulturë dhe respekt nuk prodhon demokraci të qëndrueshme

Kryeparlamentari, Afrim Gashi, në intervistën për emisionin “Agjenda 35”, ka theksuar rëndësinë që ka kultura politike dhe retorika e përdorur në hapësirat publike dhe politike. Ai u shpreh se që nga themelimi i subjektit të tij politik, është vendosur një standard i qartë për të shmangur çdo lloj gjuhe fyese, veçanërisht ndaj grave, të cilat shpesh janë më të ekspozuara ndaj sulmeve në jetën politike.

“Që nga dita e parë e formimit të partisë sonë, nuk kemi lejuar gjuhë ofenduese ndaj askujt, e aq më pak ndaj grave, sepse janë një kategori më e ndjeshme në jetën politike. Kemi ndërtuar një standard ku mund të kemi mendime të ndryshme, por mënyra se si i themi ato është tejet e rëndësishme”, deklaroi Gashi.

Ai vlerësoi se politika shpeshherë e nënvlerëson rëndësinë e gjuhës dhe sjelljes publike, por sipas tij, ato janë pikërisht gurthemel i një demokracie të zhvilluar dhe funksionale.

 

“Disa mendojnë se kultura politike dhe retorika janë çështje dytësore, por unë besoj fuqishëm se janë parakusht për një demokraci të avancuar. Duhet ta ndërtojmë këtë qasje qysh në shkollë, përmes edukimit mbi mënyrën e të shprehurit në publik,” theksoi Gashi.

 

Ai bëri thirrje që edhe brenda partive politike të ketë kujdes të shtuar në ndërtimin e kësaj kulture, duke pasur parasysh se anëtarët e tyre janë ata që më vonë përfaqësojnë qytetarët në Parlament dhe në media.

“Politikanët që sot flasin në Parlament e përballë gazetarëve, e formojnë perceptimin publik me mënyrën se si sillen dhe si komunikojnë. Prandaj, është detyrë e jona që nga brenda partive të kultivojmë standarde të larta etike e gjuhësore”, përfundoi Gashi.

Marketing