“Ibe Palikuqi” trondit skenën në Bodrum – Vallja e Dibrës pushton zemrat e publikut ndërkombëtar!

Në natën e tretë dhe përmbyllëse të festivalit ndërkombëtar në qytetin bregdetar të Bodrumit, ansambli shqiptar “Ibe Palikuqi” ngjalli emocione të veçanta tek publiku me interpretimin dinjitoz të valles tradicionale “Dibra”. Pjesëmarrja e këtij ansambli në festival u vlerësua si një surprizë e këndshme, jo vetëm nga organizatorët, por edhe nga publiku i shumtë që ndoqi ngjarjen me entuziazëm.

Në skenën e festivalit ku u inskenua simbolikisht ardhja e verës përmes adeteve lokale të qytetit, ansambli shqiptar solli një frymë autentike të kulturës shqiptare. Vallen “Dibra”, e cila u interpretua me mjeshtëri nga valltarët e rinj, u shoqërua me duartrokitje të vazhdueshme, ndërsa vallja finale “Mozaiku” elektrizoi atmosferën, duke nxitur publikun të regjistrojë momente të shfaqjes dhe të fotografohej me artistët.

Kryetari i Ansamblit “Ibe Palikuqi”, z. Vebi Amza, theksoi në përmbyllje se ishte nder dhe kënaqësi e veçantë të përfaqësonin kulturën shqiptare në një event të tillë ndërkombëtar. Ai shprehu dëshirën për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit kulturor me institucione turke, duke theksuar lidhjet e forta miqësore mes dy popujve.

Ky ishte një moment historik për ansamblin “Ibe Palikuqi”, i cili bëhet formacioni i parë shqiptar që përfaqëson trashëgiminë kulturore shqiptare në një festival të këtij niveli në Bodrum, duke forcuar edhe më tej imazhin e tij si një “Shkollë e Kulturës Shqiptare” edhe jashtë kufijve kombëtarë.

Marketing