“Unë ndjehem si maqedonas dhe dua të jem i tillë”, shkroi Krste Petkov Misirkov.
“Gjuha është atdheu ynë”, na la si amanet Bllazhe Koneski.
Këto fjali nuk janë të rastësishme.
Ato janë gjaku që rrjedh në trupin e një kombi i cili di çfarë është, çfarë dëshiron dhe çfarë ëndërron.
Tetëdhjetë vjet më parë, në këtë tokë, u kodifikua gjuha letrare maqedonase.
Kjo ishte më shumë se një akt administrativ.
Ishte njohja e një lufte të thellë, të sinqertë, të gjatë dhe të vështirë të një populli për emrin e vet, shprehjen e tij dhe autenticitetin e vet.
Ky kodifikim nuk ndodhi brenda natës.
Ai ishte fryt i punës me dekada dhe këmbënguljes së njerëzve të mëdhenj dhe brezave të intelektualëve, mësuesve, poetëve, gazetarëve, lexuesve…
Secili prej tyre kontribuoi me fjalë, mendim, zemër…
Gjuha maqedonase në gjysmën e parë të shekullit të 19-të përkon me iluminizmin, përkatësisht me pikëpamjet për gjuhën e Joakim Kërçovskit, Kirill Pejçinoviqit dhe Teodosij Sinaitskit.
Pasuesit e tyre janë autorët e teksteve mësimore, të cilët shtruan çështjen e gjuhës letrare maqedonase: Gjorgji Pulevski, Partenij Zografski, Shapkarev dhe Xhinot. Të gjithë këta njerëz janë figura të mëdha që vendosën themelet e simbolit të identitetit tonë, gjuhës sonë.
Në vitin 1945, gjuha maqedonase shekullore, përsëris, shekullore, u bë zyrtare.
Dhe nga ai moment filloi ndërtimi i saj institucional, kulturor dhe ndërkombëtar.
Sot, gjuha maqedonase jeton jo vetëm në Shkup, Manastir, Shtip, Ohër apo Strumicë.
Ajo jeton edhe në Toronto, në Melburn, në Vjenë, në Çikago dhe në Bern.
Gjuha maqedonase jeton në mendimet e çdo maqedonasi kudo që të jetë.
Jeton tek fëmijët që e mësojnë nga gjyshet dhe gjyshërit, në shkollat maqedonase në diasporë, në katedrat për gjuhën dhe letërsinë maqedonase në universitetet në Evropë dhe botë.
Dhe pikërisht ata njerëz – ata që janë larg, por e ruajnë gjuhën – meritojnë respekt të madh.
Do t`i drejtohem pikërisht atyre:
Të dashur maqedonas tanë,
Vazhdoni ta përcillni gjuhën edhe te pasardhësit tuaj.
Vazhdoni ta flisni, ta shkruani, ta doni…
Puna juaj është pjesë e pandashme e bërthamës sonë kombëtare.
Fjala juaj ” добро утро ” në Toronto dhe ” добра ноќ ” në Perth kanë të njëjtin kuptim si këtu, në Maqedoni.
Ne ju shohim, ju dëgjojmë dhe ju falënderojmë.
Të nderuar,
Gjuha nuk është diçka që ruhet në një vitrinë.
Ajo duhet të flitet, të krijohet, të zhvillohet.
Prandaj pikërisht brezat e rinj janë shpresa më e madhe.
Detyra jonë është t’u ofrojmë atyre arsim të përshtatshëm, materiale mësimore moderne, platforma gjuhësore dhe mjedise që do t’i inkurajojnë ta mësojnë, ta duan dhe ta kultivojnë gjuhën maqedonase.
Gjuha maqedonase duhet të jetë pjesë e përditshmërisë, por edhe pjesë e së ardhmes.
Dhe para se të vazhdoj, më lejoni të dërgoj një mesazh për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës.
Në shekullin 21, fati i popujve të vegjël është të konfirmohen vazhdimisht, të luftojnë dhe ta mbrojnë të drejtën e tyre për simbolin identitar. Propagandat më të fuqishme janë ato që godasin simbolet identitare. Dhe shpeshherë ne si komb kemi përjetuar goditje të tilla dhe dhimbja është më e madhe kur ato vijnë nga njerëzit tanë që, për arsye të ndryshme personale ose për interesa të përfitimit, mohojnë ose në mënyrë të pakujdesshme hedhin dyshime për ndonjë të vërtetë historike që na konfirmon si popull dhe komb. Gjuha është fortesa jonë dhe identiteti i pakontestueshëm dhe unë si kryeministër nuk do të heq dorë nga e drejta jonë civilizuese për të folur maqedonisht, për ta përfaqësuar veten në maqedonisht, të gëzohemi, të vajtojmë dhe të këndojmë në gjuhën tonë shumë shekullore, do ta përsëris, shumë shekullore maqedonase. Kështu kanë bërë gjyshërit tanë, kështu do bëjnë edhe fëmijët tanë. Prandaj, për shumëkënd do jemi shqetësim, për disa jemi pengesë, por gjithmonë e di se po punoj për qytetarët e mi dhe atdheun tonë të përbashkët.
Dhe këtu nuk guxojmë dhe nuk jemi vetëm.
Më lejoni në këtë rast të shpreh respekt dhe falënderim për të gjitha institucionet dhe individët që i kanë kushtuar jetën e tyre gjuhës maqedonase:
Për Institutin e Gjuhës Maqedonase “Krste Misirkov”, i cili për gati tetë dekada ka luajtur rolin e rojës gjuhësore dhe shtyllës shkencore të gjuhës sonë.
Për Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, projektet, fjalorët, normat drejtshkrimore dhe punimet e të cilës janë të pazëvendësueshme.
Për Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” dhe të gjitha katedrat universitare për gjuhën maqedonase – gjeneratorë të dijes dhe krenarisë.
Për Ministrinë e Arsimit dhe mësuesit që e transmetojnë gjuhën te brezat e rinj – të saktë, të pasur, të denjë.
Për botuesit, poetët, përkthyesit, mediat – të cilët i japin jetë gjuhës në të gjitha format e saj.
Të dashur miq,
Qeveria do të vazhdojë të investojë në gjuhën maqedonase – përmes reformave arsimore, projekteve digjitale, fjalorëve dhe standardizimit.
Të mbështesë botuesit, mediat, shkrimtarët dhe mësuesit.
Të forcojë institucionet si Instituti “Krste Misirkov” dhe katedrat në vend, por edhe jashtë tij.
Të investojë në programe për mësimin dhe promovimin e gjuhës përmes teknologjive të reja dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
T’u ofrojë të rinjve forma të reja për t’u shprehur përmes gjuhës, si në letërsi ashtu edhe në jetën publike.
Të nderuar miq,
Gjuha maqedonase nuk është vetëm e kaluar.
Ajo është një urë drejt së ardhmes.
Prandaj, ky jubile le të mos jetë vetëm një moment kujtese, por edhe një çast zgjimi.
Një moment kur përsëri i themi vetes – “kjo është e jona, kjo është e vlefshme, kjo është e përjetshme”.
Rroftë gjuha maqedonase!
Urime 80-vjetori i kodifikimit të saj!”