Deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka akuzuar kryetarin e ASH-së, Arben Taravarin për servilizëm ndaj kryeministri Mickoski.
“Rezili të bën rezil, servili të bën servil!
Nuk ka pasur njeri që i është servilosur më shumë kryeministrit! Çdo fjalë që nxirrte ishte lavd për Mickoskin nga “raporte të shkëlqyera” deri te deklarata se “70% e qytetarëve janë të kënaqur me Mickovskin”!
Mendoi se me këso servilizmi do të mbetej edhe në Qeveri edhe me BDI. Por kur s’i dolën hesapet, u kthye prapa dhe nisi të predikojë moral! Hipokrizi që të vjell shpirtin!
Politika bëri njërit me një sy, e tjetrit “ti je më i miri” nuk pi ujë! Do edhe në Qeveri, edhe me VLEN, edhe t’i bësh temena Aliut?! Nuk shkon! Siç thotë populli, me një dorë s’mbahen tre bostana!”, ka shkruar Azizi.
Por, pavarësisht akuzave të renda ndaj Taravarit, Azizi në shkrimin e tij, lavdëron aktivistët e ASH-së dhe fton t’i bashkangjiten VLEN-it.
“Respekt pa kufi për aktivistët e ASH-së!
Për 22 vite qëndruat besnikë dhe stoikë kundër BDI-së. Nuk ka asnjë dyshim se një meritë të jashtëzakonshme për ndryshimin e sotëm e kanë aktivistët e VLEN-it, por po aq të vlerësuar janë edhe ata të ASH-së që me dekada nuk e kanë ndalur kurrë luftën kundër krimit, korrupsionit….
Ju bashkë me VLEN-in sollët rotacionin dhe i hapët rrugë ndryshimit politik!
Sa herë që kryetari devijoi nga rruga, sa herë që ndryshoi qasje, ju aktivistë nuk heshtët!
I thatë qartë “Ti ec në rrugën tënde, ne nuk bëhemi bashkë me BDI-në në asnjë rrethanë!”
Ndaj sot, me zemër të hapur dhe bindje të thellë, u bëj thirrje të gjithë aktivistëve të ndershëm dhe të sinqertë. Eja ta ndajmë bashkë këtë meritë dhe ta çojmë përpara betejën që e nisëm bashkë!”, ka shkruar Azizi.