Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, harron protokollin diplomatik dhe luan me zjarr në ujërat e turbullta të politikës së brendshme të Maqedonisë së Veriut.
Në vend që të përfaqësojë me dinjitet shtetin shqiptar dhe të ruajë neutralitetin e detyrueshëm, ambasadori Meidani ka ndërmarrë një hap të paprecedent, ka pëlqyer një postim të Arben Taravarit, i cili thumbon VLEN-in, koalicionin aktual qeveritar shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Postimi i Taravarit, i cili lexon: “Reagim? S’ia VLEN!” është një shigjetë e qartë politike, por më shqetësues se përmbajtja e tij është reagimi publik i një diplomati që përfaqëson një shtet tjetër, Shqipërinë në një vend ku shqiptarët janë faktor shtetformues dhe ku çdo qëndrim i tillë mund të keqinterpretohet si ndërhyrje në punët e brendshme.
A është ky një qëndrim personal, apo sinjal i një orientimi të ri politik të Tiranës zyrtare? Kjo mbetet për t’u sqaruar. Por një gjë është e sigurt: ambasadori nuk është analist politik, as militant partie, ai është përfaqësues i Presidentit dhe i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë në një shtet sovran.
A duhet Ministri i Punëve të Jashtme të RMV-së ta thërrasë për një sqarim zyrtar ambasadorin Meidani? Heshtja përballë këtij veprimi nënkupton normalizimin e ndërhyrjes diplomatike në debatet e brendshme politike. Ky është jo vetëm precedent i rrezikshëm, por edhe fyerje ndaj shtetit pritës dhe komunitetit shqiptar që meriton përfaqësim dinjitoz, jo instrumentalizim nga jashtë.
Në vend që të jetë urë bashkëpunimi mes dy shteteve, ambasadori po shndërrohet në zëdhënës simpatish të njëanshme. Roli i tij nuk është të përzihet në lojën politike të ditës, por të ndërtojë ura, të ruajë neutralitetin dhe të forcojë bashkëpunimin mes dy shteteve shqiptare në frymën e respektit të ndërsjellë dhe sovranitetit.
Ambasadori nuk është “facebook influencer”, është përfaqësues i një shteti dhe kjo vjen me përgjegjësi.