Operatori kombëtar i sistemit të përçimit të gazit natyror, “NOMAGAS” dhe kompania Rapid Bild nga Kumanova e nënshkruan sot marrëveshjen për ndërtimin e interkonektuesit gazsjellës me Greqinë në Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me këtë nis zyrtarisht zbatimi i një prej projekteve më të rëndësishme energjetike në historinë më të re të vendit.
Kjo marrëveshje e siguron diversifikimin dhe qasjen në burime të shumta të gazit natyror, siguron zhvillimin ekonomik, promovimin dhe mbrojtjen e mjedisit, kontribuon në sigurinë e furnizimit me energji, si dhe transitin e një prej burimeve energjetike dhe kapitalit më të rëndësishëm për të ardhmen – energjinë.
“Kjo ditë është veçanërisht e rëndësishme për ne, sepse si menaxhment i ri arritëm t’i përfundojmë të gjitha procedurat për më pak se 9 muaj. Në të njëjtën kohë, jam shumë krenar që jam pjesë e menaxhmentit aktual të operatorit maqedonas të sistemit të përçimit të gazit natyror, i cili po fillon zbatimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm”, deklaroi drejtori i “NOMAGAS”, z. Muhammet Elmazi.
“Përkatësisht, nënshkrimi i kontratës me një kompani vendore paraqet edhe konfirmim të kapacitetit dhe ofertës në tregun vendor, përmes dispozitave për cilësi, kompetencë dhe veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e kushteve bashkëkohore ekonomike – shpagueshmërinë financiare”, shtoi ai.
“E nënshkruam këtë Marrëveshje ndërtimi sot në prani të partnerit tonë në anën tjetër të kufirit – operatorin grek të sistemit të përçimit të gazit natyror “DESFA”, me të cilin do ta ndërtojmë së bashku këtë kapacitet strategjik energjetik. Së bashku me “DESFA”-n i zhvillojmë mundëstë për bashkëpunim afatgjatë, para së gjithash ndërmjet dy kompanive, por edhe ndërmjet dy vendeve, në kuadër të të cilave Republika e Maqedonisë së Veriut do ta përforcojë të ardhmen e saj energjetike, do ta mbështesë zhvillimin e të gjithë rajonit dhe me zbatimin e korridorit të planifikuar energjetik do të japë një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin energjetik të Evropës”, theksoi Elmazi.
Pothuajse tre dekada pas futjes së gazit natyror në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me këtë marrëveshje, “NOMAGAS” po pozicionohet si një nga operatorët më të mëdhenj të sistemit energjetik në vend – faktor kyç për zhvillimin dhe sigurinë e saj energjetike.