Grupi i ri parlamentar i VLEN-it, në pritje të nënshkrimeve të deputetëve

Deputeti Bekim Qoku ende nuk ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për t’u bërë koordinator i ri i grupit parlamentar të VLEN-it në Kuvend, në vend të Halil Snopçes. Për Alsat, Qoku thotë se nënshkrimet nuk janë mbledhur për shkak të mungesës së deputetëve në Kuvend. Deri tani nënshkrimet e tyre i kanë dhënë vetëm tetë deputetë. Qoku njofton se në fakt nuk bëhet grup i ri parlamentar, por thjeshtë ndryshohet koordinatori.

Marketing

“Janë mbledhur nënshkrimet por jo të gjitha sepse nuk janë deputetët në këto kohë, kanë munguar deputetë. Dhe kemi pritur që të kemi firmat e të gjithë deputetëve. Janë tetë deputetë që kanë nënshkruar deri tani dhe shpresojmë që sa t’i mbledhim nënshkrimet, ta dorëzojmë shkresën zyrtarisht në shërbimet e Parlamentit”, deklaroi Bekim Qoku – VLEN.

Por për Halil Snopçen, këto paralajmërime janë thjeshtë muhabete. I bën thirrje Qokut që sa më shpejtë ta dorëzojë kërkesën.

“Këto janë vetëm muhabete. Ajde le të konkretizojnë, le ta parashtrojnë atë kërkesën se dy javë ditë flasin për atë por deri në momentin e pikërishëm as në arkivat e Kuvendit, as në kabinetin e kryetarit të Parlamentit nuk është parashtruar kërkesë e tillë. Le ta parashtrojnë atë kërkesë më, çfarë presin? Jo me 14, le të bëjnë fillimisht ata me nëntë deputetë, pastaj e shohim… Pra në qoftë se ata formojnë një grup parlamentar të ri të cilën se kanë formuar ende pavarësisht se çfarë kanë deklaruar atëherë ndryshojnë rrethanat”, u shpreh Halil Snopçe – ASH.

Megjithatë, marrë parasysh se qëllimi është vetëm të ndryshohet koordinatori, kjo procedurë do të jetë e vështirë pasi deputetët e Aleancës për Shqiptarët nuk do të japin dritë jeshile për këtë. Siç tha Snopçe, deputetët e ASH-së veprojnë në përputhje me vendimet e organeve partiake. /Alsat.mk