“Të grabitura, të plaçkitura dhe të dhunuara”, Berisha refuzon të njoh rezultatin e zgjedhjeve

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, mbajti një konferencë për shtyp këtë të martë, ku komentoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Ai refuzoi kategorikisht të pranonte rezultatet e zgjedhjeve, duke i cilësuar ato si “më të manipuluarat në historinë e pluralizmit në Shqipëri.”

Marketing

Sipas Berishës, blerja e votave, përdorimi i patronazhistëve, ndërhyrja e grupeve kriminale dhe angazhimi i bandave për të manipuluar rezultatin, e kanë shndërruar procesin zgjedhor në një shfaqje të manipulimeve të papara.

Ai denoncoi se “skenat e dhunshme në Vlorë, ku banda e Blendi Xhabajt diktuan vullnetin e qytetarëve”, janë vetëm një shembull i asaj që ndodhi në shumë bashki të tjera të Shqipërisë.

Berisha theksoi se “kryebanditi Blendi Xhabafti vodhi vota 10 herë më shumë se kandidati i dytë në listë”, duke e cilësuar këtë akt si një dëshmi të grabitjes së votave në përmasa të papara. Ai shtoi se këto ngjarje nuk ishin asgjë më shumë se një skemë e zakonshme kriminale që u aplikua në disa qarqe, duke përfshirë Vlorën, Fierin, Mallakastër dhe Elbasanin, ku sipas tij, banditët e grupeve kriminale ndikuan drejtpërdrejt në zgjedhjet e këtyre zonave, raporton Euronews.al.

“Zgjedhjet e 11 majit janë zgjedhje të grabitura, të plaçkitura dhe të dhunuara. Asnjëherë më parë, banditët nuk kanë pasur më shumë përfaqësues në parlament sesa këtë herë,” deklaroi Berisha. Ai i referohej, veçanërisht, praktikave të përdorura në disa qarkullime të votës, siç është në Durrës, ku banditët, sipas tij, “votuan për deputetë të veçantë”.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorimin e blerjes së votave në mënyrë masive, duke i referuar faktit të dërgimit të zarfeve me 100 euro për pensionistët dhe faljen e gjobave dy ditë para zgjedhjeve. Ai e quajti këtë një manipulim të rëndë që ka ndodhur gjatë fushatës zgjedhore. “Zarfi me 100 euro, i dërguar në mes të fushatës, dhe amnistia për 200 milionë euro gjoba dhe kamata për periudhën 2015-2025 janë blerja më e fuqishme publike e votave në historinë e Shqipërisë,” theksoi ai.

Berisha po ashtu u shpreh për përdorimin masiv të punësimit për vota, duke e cilësuar këtë një formë të keqpërdorimit të qytetarëve dhe një “sistemi kriminal” që përdori patronazhistët për të ushtruar presion mbi zgjedhësit.

“Patronazhistët rreth qendrave të votimit krijuan një atmosferë terrori për zgjedhësit shqiptarë,” përfundoi Berisha, duke i bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të hetojnë dhe ndëshkojnë këto manipulime që, sipas tij, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin final të zgjedhjeve./Insajderi.org/