Presidentja Osmani pranoi raportin e Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefen e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, eurodeputeten Nathalie Loiseau, e cila i dorëzoi raportin përfundimtar të këtij misioni lidhur me zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Marketing

Presidentja Osmani e falënderoi eurodeputeten Loiseau dhe të gjithë anëtarët e misionit për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ajo theksoi se prezenca e këtij misioni, me kërkesë të saj, dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës për transparencë, llogaridhënie, sundim të ligjit dhe përmbushjen e standardeve më të larta demokratike.

Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin një dëshmi e pjekurisë politike dhe qytetare në Kosovë, duke theksuar se edhe ky proces zgjedhor, i zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, konfirmoi se demokracia në Kosovë është e gjallë, e qëndrueshme dhe në përparim të vazhdueshëm.

Nga ana e saj, Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Loiseau e përgëzoi Presidenten Osmani për angazhimin e Republikës së Kosovës në mbrojtje të vlerave demokratike dhe për organizimin paqësor të zgjedhjeve. Ajo vlerësoi pjekurinë e treguar nga qytetarët e Kosovës, si dhe bashkëpunimin e plotë të ofruar ndaj misionit vëzhgues.

Presidentja dhe Shefja e Misionit Loiseau po ashtu diskutuan për rekomandimet e raportit për përmirësimin e mëtejmë të proceseve demokratike në vend.