Korridori 8 në fokus, Zekolli diskuton sfidat me përfaqësuesin e BE-së

Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Koordinatorin Evropian për Korridorin TEN-T për Ballkanin Perëndimor dhe Mesdheun Lindor, Marian-Jean Marinescu, gjatë qëndrimit të saj në Beograd, në kuadër të mbledhjes ministrore të Komunitetit të Transportit.

Marketing

Në qendër të bisedimeve ishte ecuria e punimeve në Korridorin 8, një nga projektet më strategjike për ndërlidhjen infrastrukturore të rajonit. Zekolli theksoi sfidat me të cilat po përballet Maqedonia e Veriut në terren dhe në aspektin proceduror, por nënvizoi vendosmërinë e qeverisë për të përshpejtuar zbatimin e projektit.

“Jemi të përkushtuar ta çojmë përpara Korridorin 8, jo vetëm si projekt transporti, por si hallkë kyçe për zhvillimin ekonomik dhe afrimin e vendit tonë me Bashkimin Evropian,” deklaroi Zekolli.

Nga ana e tij, Marinescu shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për projektet e ndërlidhjes në Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë ndërmjet institucioneve kombëtare dhe atyre evropiane.

Takimi konfirmoi se Korridori 8 mbetet një prioritet i përbashkët dhe një projekt që do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e lidhjeve mes Adriatikut dhe Detit të Zi, përmes Maqedonisë së Veriut.