Sela: Lëvizjet e Taravarit janë të dyshimta

Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, në intervistë për Alsat tha se Arben Taravari nuk duhet pritur krahëhapur në Frontin Europian për shkak të lëvizjeve të tij të dyshimta politike. Sela tha se e pakta që Taravari duhet të bëjë, është të japë dorëheqje.

Marketing

“Falja publike e politikanit është dorëheqja nga pozicioni sepse nëse këtë e bën do ta kuptojmë se ka reflektuar se ka bërë gabim, por nëse këtë nuk e bën atëherë do të kuptojmë se ky nuk ka reflektuar por përkundrazi, ka vesh një lëkurë tjetër në mënyrë që pastaj të na servoj diçka që është jo e mirë për shoqërinë në përgjithësi, për qytetarët e sidomos për shqiptarët”, tha Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

I pyetur se çka nëse Ahmeti i ofron Taravarit 5 komuna në garën zgjedhore, Sela i prerë me mesazh të drejtpërdrejtë për Ahmetin, se nuk pranon nënçmim

Në opinion flitet për një marrëveshje që Taravari të merr 5 komuna nga BDI, atëherë shtrohet pyetja se çfarë do të merr Ziadin Sela në këto zgjedhje lokale? Keni arritur në atë stad të bisedimeve me Ahmetin për ndarjen e Komunave?

“Jo, megjithëse unë e kam bërë të qarta, nuk e di unë, Ali Ahmeti nëse ka Komuna për të shkepur majtas e djathtas është çështje e tij, por assesi nuk do të pranoj përulje, nënçmim dhe shkelje në raport me ndonjë partner brenda për brenda Frontit, e aq më pak në raport me z.Taravarin”, shtoi Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Sela në intervistë pranoi se ka pasur kërkesa nga partitë në pushtet për kontakt komunikimi, duke shtuar se i është përgjigjur një kërkese por tha se përmendja e katër deputetëve është për të krijuar paqartësi në opinion.

“Ka pas goxha kërkesa që unë të vë kontakte komunikimi me këtë ose me atë dhe i jam përgjigj një kërkese dhe i kam thënë qëndrimet ashtu siç i them edhe këtu. Ne nuk japim fjalë në dy vende, ASH-ja që unë udhëheq, njerëzit që ka ASH, deputetët e saj. Ne në dy vende nuk japim fjalë jemi serioz”, theksoi Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Çka nëse njëra derë mbyllet, ngushtohet hapësira për të vepruar

“Atëherë nuk do të jemi ne që prishim fjalën tonë dhe natyrisht jemi të lirë në veprimin tonë politik. ASH-ja nuk mund të jetë kurrë substitut i diçkaje. ASH-ja ka programin e vet. Nëse ASH-së i shkelet fjala, ASH-ja ka organet e veta dhe do të marre vendimet e veta”, tha Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Sela renditi një varg kushtesh që duhet të plotësojnë partitë që duan një bashkëpunim me ASH-në. Ai tha se të drejtat e shqiptarëve nuk mund të jenë të përkohshme, duke kërkuar zbatimin e badenterit në Gjykatën Kushtetuese, ndryshimet kushtetuese, dhe largimin e 20%

“Nga ana tjetër, nëse dikush është i interesuar për ne, në variantin hipotetik që ju e folët, ne jemi të interesuar pa marrë parasysh a jemi pjesë e Qeverisë apo pjesë e Frontit që të flasim për ndryshimet kushtetuese, zhbllokimin e eurointegrimeve, jemi të interesuar që bashkë me këto ndryshime kushtetuese të flasim edhe për heqjen e 20% dhe vendosjen aty të gjuhës shqipe. Ne duhet të ndërtojmë sistem i cili do ta bëjë të paprekshëm shqiptarin dhe komunitetet tjera pa marrë parasysh se kush do të jetë nesër kryeministër i vendit dhe sa do të na dojë ose nuk do të na dojë ne si komunitete ai kryeministër dhe një nga ato mekanizma është badenteri në Gjykatën Kushtetuese”, shtoi Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Sela u bëri thirrje strukturave dhe anëtarëve që deri dje ishin me Taravarin dhe të cilët nuk e kanë harruar kauzën e ASH-së, të kthehen në krah të tij dhe të shtyjnë proceset përpara, por pa Taravarin

“Ri-bashkimi i ASH-së si opsion, ASH që unë e udhëheq ka vend për të gjithë ato anëtarë të ASH-së që nuk e kanë harruar akoma kauzën e ASH-së dhe jemi të hapur për të gjithë këto, ndërsa njerëz të cilët gjatë kësaj periudhe mbi 10 herë ASH-në e kanë shkrirë te VLEN-i, ka deklarata publike, që do të shkrihet ASH-ja në kuadër të VLEN-it unë mendoj se kurrë nuk kanë dashur ri-bashkimin dhe ASH-në e fortë, por kjo tregon më së miri qëllimet e tyre, që ta shkrijnë ASH-në, ta zhbëjnë logon e ASH-së, ta zhbëjnë togfjalëshin ASH dhe t’i zhbëjnë kauzat të cilat ASH i ka ndërtuar ndër vite, pjesë e së cilës i ka realizuar sa herë që ka qenë pjesë e ndonjë shumice por edhe nga opozite, me përjashtim të kësaj Aleanca mbi 10 muaj në Qeveri nuk ka dhënë asnjë rezultat nga kauza dhe programi politik i ASH-së. ASH-ja është e hapur për të gjithë eksponentët e ASH-së, por ai i cili e ndau, për atë nuk duhet të ketë vend në ASH”, tha Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.