Gjykata e Apelit ka vendosur të lirojë nga vuajtja e dënimit ish-kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, i cili ishte dënuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës pas publikimit të një videoje me përmbajtje seksuale të realizuar në ambientet e zyrës së tij.
Vendimi i lirimit është marrë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të Gjicit, sipas dokumentacionit të paraqitur në gjykatë. Burime pranë gjyqësorit bëjnë të ditur se ai kishte edhe rreth 8 muaj të mbetur për të vuajtur nga dënimi i dhënë më herët.
Gjici ishte dënuar pas skandalit që tronditi opinionin publik, kur në qershor të vitit 2023 u publikua një video komprometuese. Ai dha dorëheqje menjëherë pas publikimit të materialit dhe më pas u hetua dhe u dënua nga drejtësia për shpërdorim të funksionit publik.