Fyerjet ndaj Fetait zbulojnë panikun në kampin e Taravarit

Kriza brenda Aleancës për Shqiptarët ka hyrë në një fazë alarmante, jo vetëm për shkak të përçarjeve të brendshme, por edhe për përdorimin e gjuhës së urrejtjes nga funksionarë të afërt me Arben Taravarin.

Marketing

Pas distancimit masiv të degëve dhe anëtarëve nga vendimi arbitrar për dalje nga Qeveria , një vendim i marrë pa proces demokratik e pa miratim nga organet e partisë, disa prej mbështetësve të Taravarit kanë reaguar me fyerje dhe sulme personale.

Një nga rastet më të rënda është ai i Suat Saqipit, i cili i është drejtuar zëvendëskryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit të ASH-së, Arben Fetait, me fjalor denigrues:
“E kështu t’del hesapi n’mejdan kur turli dylberit i jep drejtimin e funksionit!” – një deklaratë e papranueshme, që përçmon jo vetëm një funksionar të lartë, por shkel rëndë etikën politike.

Për fat të keq, nuk është rasti i vetëm. Nënkryetari Gëzim Kadriu ka përdorur retorikë përjashtuese duke quajtur kundërshtarët “mikrobe”, ndërsa Gadaf Uzeiri ka kërcënuar hapur me fjalë të tilla si: “As llogaritë nuk mbyllen me heshtje.”

Këto sjellje janë të dënueshme dhe tregojnë një përpjekje të dëshpëruar për të frikësuar e delegjitimuar zërat kritikë brenda partisë. Në vend të reflektimit mbi vendime të gabuara, po zgjidhet rruga e sulmeve personale dhe gjuhës rrugaçërore.

Aleanca për Shqiptarët, që lindi si një alternativë demokratike, nuk mund të tolerojë zyrtarë që e poshtërojnë debatin politik dhe përdorin fjalor urrejtjeje ndaj bashkëpartiakëve.