Mexhiti: Tetë dekada në shërbim të jetës!

Në një botë që shpesh harron të ndalojë, që kalon pranë dhimbjes me sy të mbyllur, thirrja “ Ne shohim njerëz” vjen si zgjim i ndërgjegjes.
Ne shohim njerëz, jo si numra, jo si raste, por si jetë. Si shpirtra që kërkojnë ngrohtësi, dinjitet dhe shpresë. E në këtë akt të thjeshtë, të thellë, të shenjtë, qëndron vetë kuptimi i humanizmit. Siç e dinte edhe Nënë Tereza jonë, bamirësia nuk matet me madhësinë e veprës, por me dashurinë që e mbush atë. Zemra që sheh, është zemër që shpëton. Dhe në çdo ndihmë të dhënë, në çdo dorë të shtrirë, ne nuk shohim vetëm një nevojë, shohim njeriun.
Dhe mbi këtë frymë, mbrëmë u shënua jubileu i madh i Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut: 80 vjet frymëzim, qëndresë dhe dashuri ndaj njeriut. Tetë dekada në shërbim të jetës!
Këtë përvjetor e festuam nën moton “Ne shohim njerëz”, duke kujtuar se humanizmi është gjuha më e lashtë dhe më universale, ajo që flet përtej fjalëve, që lidh zemrat edhe atje ku duket se ka ndarje.
Le të vazhdojnë edhe shumë dekada të tjera, të mbushura me mëshirë, dashuri dhe përkrahje. Sepse, përderisa do të ketë nevojë për zemra që shohin, për duar që ndihmojnë dhe për njerëz që nuk harrojnë të jenë njerëz, Kryqi i Kuq do të jetë gjithmonë aty.

Marketing