Elita 5 fituese e edicionit të 22-të të “Netët e Klipit Shqiptar”

Grupi i mirënjohur i muzikës shqiptare Elita 5 me këngën “Natën e mirë” ka fituar edicionin e 22-të të “Netët e Klipit Shqiptar”, një prej eventeve më të rëndësishme të muzikës dhe videoklipit në hapësirën shqiptare.

Marketing

Vokalisti i grupit ‘Elita 5’, Arif Ziberi falënderoi jurinë dhe vlerësoi publikun shqiptar pas marrjes së çmimit të madh, i përbërë nga plot 7 kupa për arritje të ndryshme teknike-profesionale.

“Natën e mirë’ ka qenë një projekt i realizuar shpejt. Ka qenë një këngë dhe mund shumë i madh për grupin tonë. Falënderoj publikun e mrekullueshëm që na përkrah për mbi 35 vite. Derisa të jenë ata do të jetë edhe grupi Elita 5”, tha z. Arif Ziberi.

Mbrëmja ofroi emocione të forta dhe performanca speciale nga salla e Teatrit të Operës dhe Baletit në TIranë. Kjo ishte hera e parë pas 7 vitesh që shfaqja u rikthye në kryeqytetin shqiptar, pas disa realizimeve në Ulqin.

Spektakli i moderuar nga Ermal Peçi dhe Drita Ziri bëri pjesë të skenës së madhe disa nga emrat e shquar të artit skenik, muzikës dhe tekstit të shkruar, duke dorëzuar secili prej tyre çmimin e merituar për secilën kategori të krijimtarisë filmike dhe muzikore për produksionet shqiptare.

Spektakli u transmetua drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në RTSH 1 HD.

Çmimet e dhëna në natën finale të edicionit të 22-të, ‘Netët e Klipit Shqiptar’

Klipi më i mirë në të gjithë komponentët: “Natën e mirë” nga Elita 5

Produksioni Deliart: Aurel Thellimi

Grafika më e mirë në klip: Pinkmoon për “Putain” nga Dafina Zeqiri ft. Vig Poppa

Klipi më i mirë baladë: “Vëlla” nga Silva Gunbardhi

Debutuesi më i mirë: Luna Çausholli me “Dielli të më shohë”

Klipi më i mirë urban: “E premte” nga Orgesa Zaimi

Kamera më e mirë: MVC Production për “A ka njeri” nga Hazy ft. Klodian Kodra

Muzika qytetare: “Të kam dashur” nga Ertila Koka

Interpretuesi më i mirë: Mateus Frroku me “Me raki”

Klipi më i mirë rok: “Twisted” nga Rool

Montazhi më i mirë në klip: Daniel Joveski për “Natën e mirë” nga Elita 5

Çmimi i publikut: Rina Januzi me “Ten Thousand Miles”

Dueti më i mirë në klip: Gena & Mimoza Shkodra me “Tradhtia”

Fabula më e mirë në klip: “Paja e nusnis” nga Fatjeta Barbullushi

Regjia më e mirë në klip: Emiljo Leka për “Ti m’ke braktis” nga Big Basta & Lyrical Son & MC Kresha

Best Influencer: Arkimed Lushaj (Stresi)

Interpretuesja më e mirë në klip: Marsela Çibukaj me “As engjëll, as dreq”

Produksioni më i mirë në klip: Fullmoon Production për “Romanca” nga Bardhi & Melinda