Propozimi i presidentes Gordana Siljanovska Davkova që guvernator i ri të jetë ish-ministri i Financave, Trajko Sllaveski, do të marrë mbështetje nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, tha kryeministri Hristijan Mickoski, shkruan Alsat.
Duke komentuar propozimin që Sllaveski të jetë guvernator, Mickoski tha se ky është vendim i presidentes së shtetit dhe nuk ka nevojë për koment shtesë.
“Kam thënë edhe më parë se ky është vendim i presidentes së shtetit, nuk është vendim i Qeverisë. Sipas Kushtetutës, presidentja e dorëzon atë propozim dhe unë nuk kam çfarë të komentoj. Propozimi do të marrë mbështetje nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Por për LSDM-në, emërimi i Trajko Sllaveskit për guvernator, do të thotë varrosje e institucionit të fundit të mbetur si i pavarur. Për këtë shkak, nga LSDM paralajmërojnë se do të kundërshtojnë ashpër përzgjedhjen e tij.
“Precedencë e paparë është të lejohet që një ushtar klasik partiak të udhëheqë këtë institucion të rëndësishëm financiar, ku deri tani ka pasur ekspertë të pavarur në funksionin guvernator. Sllaveski është funksionar i lartë i VMRO-DPMNE-së i cili ishte bashkëpunëtor i afërt i Nikolla Gruevskit, ministër në qeverinë e tij i cili nënçmonte punëtorët dhe i trajtonte si fuqi e lirë punëtore. LSDM është thellë e dëshpëruar nga poltronizmi i presidentes Siljanovska. Përulja e saj para kërkesave të Mickoskit është dëshmi se ajo asnjëherë nuk ka qenë e pavarur”, thonë nga LSDM..
Përveç Sllaveskit, në opinion janë përmendur edhe emrat e Zoran Stavrevskit, gjithashtu ish-ministër i Financave, si dhe guvernatorja aktuale Anita Angellovska Bezhoska. Për zgjedhjen e guvernatorit të ri nevojiten 61 vota nga deputetët në Kuvend./ Alsat.mk