Universiteti i Tetovës mori pjesë në Konferencën Vjetore të Aleancës Aurora që u mbajt në Paris

Në periudhën prej 19 deri më 22 maj 2025, një delegacion i Universitetit të Tetovës mori pjesë në Konferencën Vjetore të Aleancës Aurora, e cila u mbajt në Paris të Francës.

Marketing

Kjo konferencë mblodhi përfaqësues nga dhjetëra universitete evropiane, anëtarë të Aleancës, për të diskutuar strategjitë e përbashkëta për të ardhmen e arsimit të lartë në Evropë, me fokus të veçantë inovacionin, përfshirjen sociale dhe zhvillimin e tyre.

Universiteti i Tetovës, u përfaqësua nga Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, udhëheqësja e kabinetit të Rektorit, znj. Valmisa Novi, si dhe udhëheqësi i Zyrës për Përpilim dhe Menaxhim të Projekteve, z. Artan Osmani.
Konferenca u organizua nga Aleanca Aurora, një konsorcium i universiteteve evropiane që synon të avancojë një model të arsimit gjithëpërfshirës, të përkushtuar ndaj sfidave shoqërore, siç janë barazia sociale, tranzicioni i gjelbër dhe digjitalizimi.

Gjatë konferencës u zhvilluan panele të shumta, sesione pune dhe aktivitete rrjetëzimi që trajtuan çështje të rëndësishme si: bashkëpunimi ndëruniversitar në kërkim shkencor, mobiliteti i studentëve dhe stafit akademik, politikat për përfshirje sociale, si dhe mënyrat e përbashkëta për të ndërtuar universitete më të qëndrueshëm përballë sfidave të kohës.
Delegacioni i Universitetit të Tetovës mori pjesë aktive në sesione të ndryshme, duke ndarë përvojat dhe iniciativat e UT-së në fushën e ndërkombëtarizimit, zhvillimit dhe përfshirjes së studentëve në proceset vendimmarrëse. Përveç pjesëmarrjes në aktivitetet zyrtare të konferencës, delegacioni i UT-së realizoi edhe takime bilaterale me përfaqësues të universiteteve partnere.

Ndër më të rëndësishmit ishte takimi me Rektorin e Universitetit Paris-Est Créteil dhe bashkëpunëtoren e tij të afërt, ku u diskutuan mundësitë konkrete për zgjerimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet dy institucioneve. Diskutimet përfshinë mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të reja bashkëpunimi, projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbimin e stafit dhe studentëve, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike.
Pjesëmarrja në Konferencën Vjetore të Aleancës Aurora shënon një hap të rëndësishëm në rrugën e afirmimit të Universitetit të Tetovës si një institucion që kontribuon në formësimin e arsimit të lartë evropian.