MEPSO dhe KOSTT me hap të përbashkët drejt sigurisë energjetike: Interkoneksioni Tetovë–Prizren hyn në fazë konkrete

Në një takim të rëndësishëm të zhvilluar në Prishtinë, drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Burim Latifi, u takua me ushtruesin e detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT-it, Shaban Neziri, për të diskutuar mbi projektin strategjik të interkoneksionit energjetik mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Marketing

Në fokus të takimit ishte ndërtimi i linjës interkonektive 400 kV Tetovë–Prizren, që synon forcimin e ndërlidhjes mes dy sistemeve energjetike dhe rritjen e sigurisë energjetike në rajon. Projekti është pjesë e planeve afatgjata për zhvillimin e rrjetit elektrik dhe është në përputhje me udhëzimet e ENTSO-E, rrjetit evropian të operatorëve të sistemeve të transmetimit të energjisë.

Sipas Latifit, përfitimet nga ky projekt do të jenë të shumta, përfshirë:

Rritjen e kapaciteteve të ndërlidhjes ndërmjet dy vendeve;

Përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike;

Lehtësimin e tregtisë efikase të energjisë në rajon;

Mbështetjen e integrimit të burimeve të ripërtëritshme në kuadër të tranzicionit të gjelbër.

Përfaqësuesit e dy operatorëve u dakorduan të intensifikojnë bashkëpunimin teknik dhe institucional në muajt në vijim, për të siguruar realizimin e suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm për të dy vendet dhe për stabilitetin energjetik rajonal.