Rusia kryen sulmin më të madh ajror ndaj Ukrainës! Shkon në 14 numri i viktimave, mes tyre edhe fëmijë

Rusia ka ndërmarrë sulmin më të madh ajror ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës, duke lëshuar numrin më të madh të dronëve dhe raketave.

Marketing

Autoritetet ukrainase raportuan se të paktën 14 persona humbën jetën, përfshirë tre fëmijë, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Sulmi vjen vetëm një ditë pasi kryeqyteti ukrainas, Kievi, përjetoi një nga bombardimet më të rënda të luftës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se “pa presion të fuqishëm ndërkombëtar ndaj udhëheqjes ruse, kjo mizori nuk do të ndalet”. Ai kritikoi heshtjen amerikane, duke shtuar: “Heshtja e Amerikës vetëm sa do ta inkurajojë Putinin”.

Që prej shkurtit 2022, kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, Moska ka nën kontroll rreth 20% të territorit ukrainas, përfshirë gadishullin e Krimesë të aneksuar që në vitin 2014.

Sipas ushtrisë ajrore ukrainase, Rusia përdori 367 mjete fluturuese – përfshirë raketa dhe dronë – në një sulm që nisi të shtunën në mbrëmje. Forcat ukrainase njoftuan se kishin rrëzuar 45 raketa lundruese dhe 266 dronë, me goditje të raportuara në 22 lokalitete në mbarë vendin.

Ministri i Brendshëm ukrainas, Ihor Klymenko, tha se 13 rajone u goditën, me më shumë se 70 persona të plagosur dhe mbi 80 ndërtesa banimi të dëmtuara. Ai e përshkroi sulmin si një “goditje të pamëshirshme dhe të kombinuar që kishte në shënjestër civilët”.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave raportoi se tre fëmijë – të moshave 8, 12 dhe 17 vjeç – ishin në mesin e viktimave në rajonin Zhytomyr. Në rajonin Kharkiv, një shtëpi u godit në Kupiansk, duke lënë të vdekura dy gra, 85 dhe 56 vjeç. Në rajonin e Kievit, u raportuan katër të vdekur dhe 16 të plagosur, përfshirë tre fëmijë. Ndërkohë, në vetë kryeqytetin Kiev, u regjistruan 11 të plagosur dhe dëme të konsiderueshme në ndërtesa banimi, përfshirë një konvikt. Qindra qytetarë u strehuan në stacionet e metrosë.

Sulmi ndodhi në ditën e festimeve të Ditës së Kievit, një festë vjetore në kryeqytetin ukrainas.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ruse deklaroi se kishte shkatërruar 110 dronë ukrainas mbi 12 rajone të Rusisë dhe gadishullin e Krimesë. Në Moskë, 12 dronë që i drejtoheshin qytetit u rrëzuan, ndërsa në rajonin Tula, mbeturinat e një droni shkaktuan dëme materiale në një ndërtesë banimi.

E diela shënon gjithashtu ditën e tretë dhe të fundit të një shkëmbimi të madh të të burgosurve të luftës. Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer gjithsej 1,000 të burgosur gjatë tri ditëve të fundit – në përpjekjen më të madhe të këtij lloji që nga fillimi i luftës.