Konfiskim i trotinetëve dhe gjoba të larta – Kuvendi miratoi rregullat e reja

Kuvendi, në kuadër të seancës së 106-të, miratoi me procedurë të shkurtuar ndryshimet në Ligjin për Siguri në Komunikacionin Rrugor, të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e pjesëmarrjes së trotinetëve elektrikë në komunikacion.

Me këto ndryshime ridefinohet pika 57, “mjet i lehtë elektrik”, në kuadër të nocioneve që përdoren në Ligjin për Siguri në Komunikacionin Rrugor, duke marrë parasysh përvojat krahasuese të disa vendeve të rajonit, si dhe paraqitjen e mjeteve të reja në treg, kategori në të cilën bëjnë pjesë edhe trotinetët elektrikë.

Ndërhyrja kryesore ka të bëjë me shpejtësinë e lejuar të lëvizjes së mjeteve të lehta elektrike. Parashihet që shpejtësia maksimale të jetë 20 kilometra në orë, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian për rregullimin e komunikacionit të këtij lloji mjetesh.

Për të ulur numrin e kundërvajtjeve të kryera me trotinetë elektrikë, parashihet edhe ashpërsimi i kushteve për përdorimin e tyre. Kufiri i moshës rritet, që do të thotë se ato do të mund t’i drejtojnë vetëm persona që kanë mbushur të paktën 18 vjeç.

Gjithashtu ashpërsohet edhe politika ndëshkuese për shkelësit e dispozitave të parapara me ligj. Në raste konkrete, përveç gjobës së shqiptuar, parashihet edhe konfiskimi i mjetit, nëse bëhet fjalë për drejtues të mitur, tejkalim të shpejtësisë së lejuar, transportim të një personi tjetër ose drejtim të trotinetit nën ndikimin e alkoolit.

Në ligj janë bërë edhe ndërhyrje përkatëse në dispozitat kundërvajtëse, në përputhje me ndryshimet e miratuara. / Aktuale.mk

GIF
LAJME TË NGJAJSHME

TË FUNDIT

GIF