Komuna e Çairit investon në zhvillim, ndërsa opozita në manipulime

Komuna e Çairit ka reaguar ndaj akuzave të opozitës lidhur me huamarrjen e planifikuar, duke i cilësuar pretendimet si të pavërteta dhe të pabazuara.

Nga Komuna theksojnë se huamarrja nuk bëhet për shlyerje borxhesh, por për realizimin e investimeve kapitale që synojnë përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.

Demanti i plotë:
Përpjekja e opozitës për të fituar pikë të vogla politike përmes sulmeve të pabazuara ndaj Komunës së Çairit është edhe një dëshmi se, në mungesë të fakteve, ajo zgjedh manipulimin. Pretendimet e paraqitura lidhur me huamarrjen e komunës janë plotësisht të pavërteta dhe tregojnë mungesë elementare të njohjes së funksionimit të vetëqeverisjes lokale dhe procedurave ligjore.

Komuna e Çairit nuk merr kredi për të shlyer borxhe, por për realizimin e investimeve kapitale që do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët. Konkretisht, me huamarrjen e planifikuar, e cila ka normë të ulët interesi, afat shlyerjeje prej 10 vitesh dhe një vit periudhë grejs, do të mundësohet rikonstruktimi i trotuareve dhe infrastrukturës tjetër rrugore, rikonstruktimi dhe zgjerimi i terreneve sportive, përmirësimi i ndriçimit publik, rregullimi i hapësirave publike, si dhe përfundimi i projekteve të nisura.

Ky lloj financimi për investime kapitale është i lejuar me ligj dhe përbën praktikë të vendosur në të gjitha komunat. Qëllimi i vetëm është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve. Megjithatë, duket se opozita preferon të përhapë frikë dhe dezinformata, në vend që të flasë për zhvillim.

Ndryshe nga ata që çdo projekt e shohin përmes prizmit të politikës ditore, Komuna e Çairit vazhdon të punojë në mënyrë transparente, në përputhje me ligjin dhe gjithmonë në interes të qytetarëve.

I inkurajojmë të gjitha institucionet kompetente që ta verifikojnë të gjithë dokumentacionin lidhur me këtë huamarrje. Jemi të bindur se faktet edhe një herë do të dëshmojnë se akuzat e opozitës janë të pabazuara. / Aktuale.mk

GIF
LAJME TË NGJAJSHME

TË FUNDIT

GIF