Gashi ‘thumbon’ Hotin, Bajramin e Shalën: Programi i tyre ka 100 faqe, por vetëm një fjalë – Kurti
Publicisti Lirim Gashi ka ironizuar ashpër qasjen e disa figurave të opozitës ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se, sipas tij, kundërshtimi ndaj liderit të Vetëvendosjes është shndërruar në “programin” kryesor politik të tyre.
Në një shkrim me tone satirike, Gashi përmend Avdullah Hotin, Hykmete Bajramin, Kujtim Shalën dhe figura të tjera, duke ironizuar se për çdo pyetje që lidhet me ekonominë, arsimin, shëndetësinë, pensionet apo marrëdhëniet me SHBA-në, përgjigjja e tyre është e njëjtë: “Kundër Kurtit!”
“Kështu lind programi më ambicioz elektoral i shekullit: 100 faqe, një fjalë. Kurti”, shkruan Gashi.
Ai ironizon edhe raportin e opozitës ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes, duke ngritur pyetjen nëse lideri i LVV-së po trajtohet si kundërshtar më i madh sesa Milan Radojçiq.
Gashi rikthen në vëmendje edhe rrëzimin e Qeverisë Kurti në vitin 2020, duke thënë se kundërshtarët e tij mund të kenë menduar se largimi nga pushteti do të nënkuptonte edhe fundin politik të Kurtit.
“Por ndodhi një problem i vogël. Kurti nuk pranoi të bëhej kufomë. Madje bëri diçka edhe më të keqe. U kthye. Dhe fitoi zgjedhje”, shkruan ai me ironi.
Në pjesën tjetër të reagimit, Gashi ndalet edhe te gjuha politike dhe mënyra se si trajtohet kundërshtari, duke theksuar se në demokraci rivalët politikë duhet të mposhten vetëm përmes votës.
Ai thotë se çdo pretendim për plane apo tentativa reale për atentat duhet të hetohet me prova nga institucionet e drejtësisë, por shton se dyshimet dhe insinuatat nuk mund të trajtohen si aktakuza.
Në fund, Gashi shtron një pyetje për opozitën:
“Çfarë i ofroni qytetarit përveç Kurtit?”
Sipas tij, nëse përgjigjja është “asgjë”, atëherë problemi nuk është te Kurti, por te mungesa e një alternative dhe programi politik.
“Një politikan që nuk mund të fitojë pa e zhdukur kundërshtarin, zakonisht nuk ka frikë nga kundërshtari. Ka frikë nga votuesi”, përfundon shkrimi i Lirim Gashit.
Shkrimi i plotë:
Nuk e di çfarë rezultati zgjedhor i premtojnë vetes Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala dhe shokët e tyre, por duket se kanë zbuluar një metodë të re për fitimin e zgjedhjeve.
Metoda quhet:
KURTI!
Pyetja: Çfarë do të bëni për ekonominë?
— Kundër Kurtit!
Për arsimin?
— Kundër Kurtit!
Për shëndetësinë?
— Kundër Kurtit!
Për pensionet?
— Kundër Kurtit!
Për marrëdhëniet me SHBA-në?
— Kundër Kurtit!
Për Radojçiqin?
— Prisni pak… pyetja tjetër!
Kështu lind programi më ambicioz elektoral i shekullit: 100 faqe, një fjalë.
Kurti.
Dhe natyrisht, Vetëvendosje qenka armiku më i madh se Lista Serbe, ndërsa Kurti qenka më i rrezikshëm se Radojçiqi.
Në këtë pikë edhe Radojçiqi ndoshta ndihet pak i nënvlerësuar.
„Si ka mundësi?“, mund të pyesë ai. „Unë u bëra Radojçiq dhe prapë Kurti qenka problemi?“
Por historia nuk mbaron këtu.
Në vitin 2020, Kurtin e rrëzuan nga pushteti në mes të pandemisë, me një koalicion dhe ndërhyrje politike ku në skenë u shfaqën Thaçi, Rama dhe Grenell.
Ndoshta atëherë menduan se çështja u zgjidh.
Kurti do të largohej.
Pastaj do të heshtte.
Pastaj do të zhdukej.
Pastaj, sipas kësaj logjike, do të bëhej një lloj kufome politike, të cilën mund ta vizitoje një herë në vit, si monument historik.
Por ndodhi një problem i vogël.
Kurti nuk pranoi të bëhej kufomë.
Madje bëri diçka edhe më të keqe.
U kthye.
Dhe fitoi zgjedhje.
Kjo duhet të ketë qenë një tronditje e tmerrshme për teorinë politike të disa njerëzve.
Sepse si mund të ndodhë që një njeri, pasi e rrëzon nga pushteti, të mos zhduket politikisht?
Ky është një fenomen që kërkon hetim shkencor.
Ndoshta në një institut të posaçëm:
Instituti për Studimin e Kurtit si Problem Universal.
Aty mund të zhvillohen konferenca.
Tema e parë:
„Pse Kurti është fajtor edhe kur nuk është në dhomë?“
Tema e dytë:
„A mund të ndikojë Kurti në mot?“
Tema e tretë:
„Nëse bie shi në Prishtinë, a është përgjegjës Kurti?“
Dhe në fund, tema më serioze:
„Çfarë bëjmë nëse Kurti nuk zhduket?“
Kjo e fundit duket se ende nuk ka marrë përgjigje.
Dhe këtu hyn në lojë edhe pjesa më e errët e kësaj atmosfere.
Kur politika arrin deri aty sa kundërshtari nuk trajtohet më si rival, por si një pengesë që duhet të largohet me çdo kusht, atëherë demokracia fillon të ketë temperaturë.
Nëse ka pasur plane apo tentativa reale për atentat ndaj Kurtit, ato duhet të hetohen me prova dhe përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.
Por pikërisht për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm: dyshimi nuk është provë dhe insinuata nuk është aktakuzë.
Megjithatë, ekziston një pyetje politike që nuk kërkon as prokuror, as gjykatë:
Çfarë i ofroni qytetarit përveç Kurtit?
Sepse nëse përgjigjja është „asgjë“, atëherë problemi nuk është Kurti.
Problemi është se programi juaj ka vetëm një faqe.
Dhe ajo faqe ka vetëm një emër.
KURTI.
Në demokraci, kundërshtarin mund ta rrëzosh.
Por vetëm me vota.
Sepse një politikan që nuk mund të fitojë pa e zhdukur kundërshtarin, zakonisht nuk ka frikë nga kundërshtari.
Ka frikë nga votuesi.
Burimi: botasot.info /
Aktuale.mk
