“Shitja” e patentë-shoferëve në Mitrovicë? Kërkohet paraburgim ndaj tre personave për ryshfet
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve me inicialet H.K., A.G. dhe E.G., të dyshuar për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 6 shkurt 2026, në objektin e Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë, H.K., në cilësinë e instruktorit të një autoshkolle, dhe A.G., ish-instruktor i kësaj autoshkolle, kanë pranuar shuma të panjohura parash me qëllim që t’u mundësonin kandidatëve kalimin e testit teorik për patentë-shofer.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, kandidates K.K. i është montuar në rroba një pajisje elektronike – kamerë, ndërsa në vesh i është vendosur kufje, përmes së cilave dyshohet se i janë komunikuar përgjigjet e sakta gjatë testit. E njëjta mënyrë, sipas Prokurorisë, është përdorur edhe me kandidaten A.D.
Ndërkaq, më 31 gusht 2026, H.K. dhe E.G., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë pranuar para në shuma të panjohura për t’u mundësuar kandidatëve A.R. dhe F.Z. kalimin e testit teorik për patentë-shofer.
Prokuroria pretendon se kandidates A.R. i është dhënë një këmishë e zezë me pajisje elektronike të montuar, si dhe një kufje për vendosje në vesh, ndërsa kandidatit F.Z. një jelek i zi me pajisje elektronike të montuar dhe kufje.
Të dyshuarit, sipas kërkesës, janë udhëzuar që përmes këtyre pajisjeve të pranonin përgjigjet e sakta gjatë testit.
Seanca për caktimin e masës së paraburgimit do të mbahet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
Burimi: botasot.info /
Aktuale.mk
