Fjalëkodët sekretë që do ju mbrojnë nga mashtruesit e AI; Historia prekëse e familjes amerikane
Vetëm pesë minuta përgatitje mund t’ju ndihmojnë të mbroni familjarët tuaj nga një prej mashtrimeve më të frikshme të epokës së inteligjencës artificiale.
“Ka qenë terrori më i madh që kam përjetuar ndonjëherë”, tregon Elizabeth Benz, një nënë nga Buffalo, Nju Jork.
Në shtator 2025, ajo mori një telefonatë që do ta kishte të vështirë ta harronte. Në anën tjetër të telefonit dëgjoi zërin e djalit të saj 16-vjeçar, John.
“Po qante dhe më tha: ‘Mami, shoku im ka vdekur. Ka vdekur’”, tregon ajo.
Elizabeth u përfshi menjëherë nga paniku. Por situata do të bëhej edhe më e frikshme.
Një burrë i panjohur mori telefonin dhe gjatë rreth 20 minutave i tha se kishte vrarë shokun e djalit të saj dhe se do të vriste edhe John-in nëse ajo nuk i sillte 7500 dollarë në një parking të Walmart.
“Na tha: ‘Do ta vrasim djalin tuaj’”, kujton ajo.
E tmerruar, Elizabeth u nis drejt vendit ku i ishte kërkuar të shkonte. Por në momentin e fundit, vëllai i John-it arriti ta kontaktonte. Djali ishte në një ndeshje futbolli dhe ishte krejtësisht i sigurt.
Zëri që Elizabeth kishte dëgjuar në telefon nuk ishte i tij.
Gjithçka ishte një mashtrim i krijuar me inteligjencë artificiale.
Rasti i saj tregon diçka që ekspertët e sigurisë po e përsërisin gjithnjë e më shpesh: zëri i një personi nuk mund të konsiderohet më provë e mjaftueshme për të vërtetuar identitetin e tij.
Një fjalëkalim familjar mund t’ju shpëtojë
Mund të mendoni se ju ose familjarët tuaj nuk do të binit kurrë pre e një mashtrimi të tillë. Por teknologjia e AI është bërë aq bindëse sa zëri i një personi mund të imitohet me shumë pak material audio.
Zgjidhja, çuditërisht, nuk është aspak e komplikuar.
Ekspertët këshillojnë që familjet të vendosin një fjalëkalim ose fjalë sekrete që vetëm ata e dinë dhe që përdoret për të verifikuar identitetin në raste urgjente.
Një mashtrues mund të imitojë zërin e nënës, babait, fëmijës apo partnerit tuaj, por nuk do të dijë fjalën tuaj sekrete.
Ajo mund të jetë diçka që lidhet me një shaka familjare, një kujtim të përbashkët ose një fjalë që është e vështirë për t’u hamendësuar nga dikush jashtë familjes.
Por ekziston një problem: edhe nëse e keni vendosur fjalëkalimin, në një moment paniku mund të harroni ta përdorni.
Këtë e përjetoi pikërisht Elizabeth Benz.
Familja e saj e kishte tashmë një fjalëkalim për situata të tilla, por kur mori telefonatën, as që i shkoi ndërmend ta kërkonte.
“Thjesht nuk më erdhi në mendje ta pyesja”, tregon ajo. “Këto mashtrime të çojnë në një gjendje paniku ku nuk arrin të mendosh qartë.”
Prandaj, përveç fjalës sekrete, duhet të përgatiteni edhe mendërisht për mënyrën se si do të reagoni nëse një ditë merrni një telefonatë të tillë.
Tre shenja që duhet t’ju bëjnë menjëherë dyshues
Gary Schildhorn, një avokat nga Filadelfia që vetë ka përjetuar një përpjekje për mashtrim me deepfake, thotë se ekzistojnë tre sinjale kryesore që duhet t’ju alarmojnë.
E para është urgjenca. Mashtruesi do t’ju thotë se duhet të veproni menjëherë dhe nuk do t’ju japë kohë të mendoheni.
E dyta është mënyra e pagesës. Nëse kërkohen para në dorë, karta dhuratash, Bitcoin ose forma të tjera pagesash që janë të vështira për t’u gjurmuar, duhet të dyshoni menjëherë.
E treta është izolimi. Mashtruesi mund të përpiqet t’ju ndalojë të telefononi një familjar tjetër, policinë ose dikë që mund t’ju ndihmojë të kuptoni nëse situata është reale.
Qëllimi është gjithmonë i njëjtë: t’ju mbajnë të frikësuar, vetëm dhe nën presion, në mënyrë që të mos keni kohë të mendoni.
Çfarë duhet të bëni nëse ju telefonon një “familjar” në rrezik?
Nëse merrni një telefonatë ku dikush pretendon se është fëmija, partneri apo një familjar dhe ju kërkon para për një situatë urgjente, mos veproni menjëherë.
Ndaloni. Merrni frymë. Pyetni për fjalën sekrete.
Nëse personi nuk e di, mos dërgoni para dhe mos ndiqni udhëzimet e telefonuesit.
Mund të mbyllni telefonin dhe të telefononi vetë familjarin në numrin që keni ruajtur në telefon, jo në numrin që ju jep telefonuesi.
Nëse nuk mund ta kontaktoni, telefononi një person tjetër të besuar që mund t’ju ndihmojë të verifikoni situatën.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse paniku është një nga armët më të fuqishme të mashtruesve.
Praktikojeni para se t’ju ndodhë
Ekspertët thonë se nuk mjafton vetëm të dini se mashtrime të tilla ekzistojnë. Duhet të vendosni paraprakisht se çfarë do të bëni.
Një mënyrë e thjeshtë është që familja të ketë një rregull: në çdo telefonatë të pazakontë ku kërkohen para ose pretendohet se dikush është në rrezik, personi që merr telefonatën duhet të bëjë tre gjëra:
-Të qëndrojë i qetë, të kërkojë fjalën sekrete dhe të konsultohet me një person të besuar përpara se të bëjë çfarëdo veprimi.
-Mund të vendosni edhe një kujtesë në telefon çdo disa muaj për t’ia rikujtuar familjes fjalën sekrete dhe mënyrën e reagimit.
Sepse kur një mashtrues përdor zërin e një personi tuaj të njohur, është shumë e lehtë të harroni gjithçka që keni mësuar për mashtrimet.
“E ndaj historinë time sepse dua që njerëzit të kuptojnë sa urgjente, e frikshme, psikologjike dhe reale mund të jenë këto telefonata”, thotë Benz.
