Mustafa Dauti nga Dojrani: Kontrolle efikase dhe qarkullim më i lehtë në kufi (VIDEO)
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, ka vizituar Pikën Kufitare Dojran, ku është njohur nga afër me funksionimin, organizimin e punës dhe procedurat e kontrollit doganor.
Gjatë vizitës, Dauti ka bashkëbiseduar me punonjësit doganorë për sfidat me të cilat përballen gjatë kryerjes së detyrave të përditshme, si dhe ka vlerësuar përkushtimin e tyre në menaxhimin e qarkullimit ndërkufitar.
Ai theksoi rëndësinë e kësaj pike kufitare, e cila lidh Maqedoninë e Veriut me Greqinë dhe luan rol të rëndësishëm në qarkullimin e udhëtarëve dhe mallrave, zhvillimin e shkëmbimeve tregtare dhe lehtësimin e lëvizjes ndërmjet dy vendeve.
Sipas Dautit, prioritet mbetet ruajtja e balancës ndërmjet kontrollit efikas, parandalimit të veprimtarive të paligjshme dhe lehtësimit të qarkullimit të rregullt.
Ai paralajmëroi vazhdimin e angazhimeve për forcimin e kapaciteteve doganore, përmirësimin e kushteve të punës dhe ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët dhe bizneset.
