Kush do ta pasojë Abazin? Katër kandidatë në garë

Kush do ta pasojë Abazin? Katër kandidatë në garë

Prokurorët publikë do të vendosin për pasuesin e Islam Abazit përmes votimit të drejtpërdrejtë, që do të mbahet më 28 tetor. Deri tani janë paraqitur katër kandidatura për drejtues të ri të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Zgjedhja zhvillohet para përfundimit të mandatit të Islam Abazit, më 8 nëntor. Abazi ka paralajmëruar se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë.

Sipas informacioneve të publikuara nga “Sloboden Peçat”, në garë deri tani kanë hyrë Iskra Haxhi Vasileva, Lidija Raiçeviq, Faton Azizi dhe prokurori i lartë publik Jovan Cvetanovski. Afati për aplikim përfundon gjatë fundjavës, ndërsa deri të hënën do të priten edhe kandidaturat e dërguara me postë. Për këtë arsye, lista ende nuk është përfundimtare.

Haxhi Vasileva është prokurore në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Kohët e fundit, ajo ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të rastit kundër gjykatësit Gjoko Ristov.

Raiçeviq është prokurore me përvojë shumëvjeçare, e cila më parë kandidoi edhe për postin e prokurores publike të Republikës. Ndërkaq, Azizi është i angazhuar në disa raste me interes të lartë publik, mes të cilave “Aditiv”, “FFM” dhe “Botoks”.

Vëmendjen më të madhe e tërheq kandidatura e Cvetanovskit. Cilësimi se ai është “i afërt” me kryeministrin Hristijan Mickoski nuk nënkupton ndonjë lidhje të konfirmuar personale apo partiake, por i referohet përputhjes së qëndrimeve të tyre publike për disa raste.

Në cilësinë e prokurorit të lartë publik, Cvetanovski i ka propozuar Gjykatës së Apelit që ta konfirmojë vendimin lirues për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski në rastin “Talir 2”, që lidhet me pronën e VMRO-DPMNE-së. Mickoski më parë e kishte kritikuar publikisht ngrirjen shumëvjeçare të pronës së partisë.

Cvetanovski më herët ishte suspenduar dhe ndaj tij ishte iniciuar procedurë disiplinore, por nuk iu konstatua përgjegjësi disiplinore. Kundër tij është ngritur edhe propozim-aktakuzë për keqpërdorime të dyshuara gjatë shpërndarjes së lëndëve, vlerësimi procedural i së cilës ende nuk ka përfunduar.

Ai pohon se kjo nuk përbën pengesë për kandidaturën e tij, duke rikujtuar parimin e prezumimit të pafajësisë.

Edhe pse zgjedhja formalisht është në duart e prokurorëve, biografia profesionale, integriteti dhe raporti i secilit kandidat me pushtetin politik do të jenë nën vëmendje të shtuar.

Drejtuesi i ri do të marrë drejtimin e një institucioni që vendos për hetime kundër bartësve të funksioneve publike, krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. / Aktuale.mk

GIF
LAJME TË NGJAJSHME

TË FUNDIT

GIF