A do ta aprovojë OBSH-ja vaksinën e Rusisë kundër COVID-19?

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) si dhe autoritetet ruse, po diskutojnë për një proces të mundshëm të “parakualifikimit” të vaksinës së Rusisë.

Marketing

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, parakualifikimi nga OBSH-ja është një proces sistematik i cili përcakton cilësinë e një produkti në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Presidenti Vladimir Putin tha të martën se Rusia është vendi i parë në botë që lansoi vaksinën kundër COVID-19, më pak se dy muaj prej se u aplikua tek njerëzit për testim.

“Ne jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet shëndetësore ruse, ndërkohë diskutimet janë duke vazhduar në lidhje me parakualifikimin e mundshëm të OBSH-së për këtë vaksinë”, u shpreh zëdhënësi i organizatës Tarik Jasarevic.

“Parakualifikimi i secilës vaksinë përfshin rishikimin dhe vlerësimin rigoroz të të gjitha të dhënave të sigurisë dhe efikasitetit”, shtoi ai.

Ndryshe, ditë më parë OBSH pati reaguar për vaksinën e Rusisë, ku tha se kjo e fundit duhet t’i aplikojë rregullat sipas standardeve ndërkombëtare për prodhimin e një vaksine.