A do të lë Mitrovicën për post qeveritar, çfarë thotë Agim Bahtiri?

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka përsëritur thirrjen për kthimin e serbëve në vendbanimet e tyre duke ju garantuar siguri të plotë.

Marketing

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se ende beson se Mitrovica duhet të jetë një qytet i vetëm dhe se bashkëpunimi me Mitrovicën Veriore është më i mirë se në vitet e kaluara.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje të gjithë serbëve që dëshirojnë të kthehen në jug të qytetit, ta bëjnë një gjë të tillë dhe ai u garanton siguri. Bahtiri gjatë një interviste për “Kosovo Online” ka përmendur sukseset më të mëdha të Mitrovicës gjatë vitit që kam pas, transmeton lajmi.net.

“Mitrovica është qytet specifik dhe të jeni në krye të tij është nder. Dua të kujtoj se në vitet paraprake kishte numër të madh të incidenteve ndëretnike dhe jemi të kënaqur që ai numër në vitin e fundit është zvogëluar dukshëm. Kjo dëshmon se kemi arritur sukses në vendosjen e rendit dhe qetësisë”, shtoi Bahtiri”.

“Nga momenti kur jam shpallur kryetar i Komunës i ftoj serbët që lirisht të kthehen në vendbanimet e tyre ku kanë jetuar. Nuk e kam të vështirë ta përsëris edhe tani sepse ju garantoj se do të kenë siguri të plotë”, shtoi Bahtiri.

Ai ka përjashtuar mundësinë e largimit nga detyra si kryetar i Mitrovicës për një post në qeverinë e ardhshme. “Jo, mandati im si kryetar i komunës do të zgjasë edhe dy vite andaj planifikoj të qëndroj këtu. Do të mendohem nëse do të kandidojë për mandatin e tretë, por tani jam i përcaktuar vetëm në punën e kryetarit të komunës dhe punoj për atë që kam zgjedhur”, theksoi Bahtiri, transmeton lajmi.net.

Ai është përgjigjur në pyetjen nëse qeveria e ardhshme do ta heq taksën ndaj mallrave serbe.

“Ashtu siç jeni njoftuar nëpërmjet deklaratave të presidentit tonë dhe kryeministrit të ardhshëm, pasi të vjen qeveria e re në Kosovë do të ketë reciprocitet mes Serbisë dhe Kosovës, pastaj nuk do të ketë nevojë për ekzistimin e taksës që qëndron tani. Kjo do të thotë se varësisht si është politika e Serbisë ndaj Kosovës, të tilla do të jenë veprimet e Kosovës ndaj Serbisë”, u shpreh ai. Bahtiri ndër të tjera ka zbuluar edhe planet e tij trë punës për vitin e ardhshëm, transmeton lajmi.net.

“Një nga investimet më të mëdha është renovimi i stadiumit “Adem Jashari”, për çka janë ndarë 12 milionë euro dhe që pas renovimit do t’i përmbush kriteret e kërkuara nga FIFA dhe UEFA. Po ashtu, kemi edhe projekte tjera si rregullimi i trafikut, ujësjellësit dhe rrjetit të kanalizimit që bëjmë çdo vit”, përfundoi ai

Marketing