Heqja e testimit elektronik për kandidatët e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë dhe vendosja e sistemit të testimit në letër, me vendim të qeverisë, për VMRO-DPMNE-në është një mundësi për punësimin e kuadrove partiak të LSDM-së dhe BDI-së, shkruan Alsat.
Antonio Milloshoski publikoi në rrjetet sociale vendimin e qeverisë dhe ligjin për Akademinë për gjykatës dhe Prokurorë Publik, që janë në kundërshtim me njëra tjetrën.
“Më 22 janar do të mbahet testi kryesor kualifikues për 130 kandidatë në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë. Por, që ata që janë në listat e BDI-së dhe LSDM-së të kalojnë me pikë maksimale, qeveria vendosi që testi i kualifikimit të bëhet me shkrim, e jo elektronik. Kjo është në kundërshtim me nenin 39 të Ligjit për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik, ku shprehimisht thuhet se testi i kualifikimit kryhet në mënyrë elektronike dhe me qëllim për të mos lejuar që dikush nga Bordi Drejtues i Akademisë të plotësojë përgjigjet e të preferuarve të qeverisë për gjyqtarë dhe prokurorët”, ka shkruar Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Alsat drejtoi pyetje në qeveri për të sqaruar vendimin e marrë, arsyet dhe mundësinë e manipulimit, megjithatë nuk morëm përgjigje. Në vendimin e qeverisë të publikuar nga Milloshoski thuhet se kanë vepruar pas kërkesës për intervenim urgjent për vazhdimin e provimit pranues në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik.
“Detyrohen të gjithë institucionet të cilat kanë nevojë për mbajtjen e provimit elektronik, atë ta bëjnë në formë të shkruar, me lexues elektronik pa faktorin njeri, deri në përfundimin e procedurës së tenderimit në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës”, thuhet nw vendimin e Qeverisë.
Milloshoski shkruan se qeveria nxiton të shtojë edhe 100 prokurorë dhe gjyqtarë, sepse e di që është në largim, megjithatë, drejtorja e Agjencisë, Gaber, si dhe anëtarët e Bordit Drejtues duhet të mendojnë seriozisht nëse do të veprojnë sipas konkluzionit të qeverisë apo nëse do të respektojnë detyrimet ligjore për marrjen e testit të kualifikimit. / Alsat.mk