A është Asociacioni “kusht mbi kushtet” në dialogun Kosovë-Serbi?

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është “kusht mbi të gjitha kushtet” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Pa përparim në këtë pikë, “nuk mund të ketë përparim as në çështjet tjera” për të cilat diskutohet në këtë dialog.

Marketing

Kështu thonë disa burime diplomatike në Bruksel, duke pranuar – ndonëse jo zyrtarisht – se Asociacioni është prioriteti numër një, edhe pse Marrëveshja e Ohrit midis Kosovës dhe Serbisë, që duhet të shpjerë në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duhet zbatuar plotësisht.

Për themelimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Beogradi ka insistuar në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa Prishtina i ka kundërshtuar ato, duke thënë se mund ta rrezikojnë funksionalitetin e shtetit.

Në BE thonë se hapi i parë drejt themelimit të Asociacionit është bërë me paraqitjen e draft-statutit të tij, këtë javë në Bruksel, edhe pse palët kanë shprehur qëndrime shumë të kundërta në lidhje me atë dokument.

Drafti-statuti u paraqit nga një ekip menaxhues – i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb – gjatë një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.

Kurti tha se ky dokument është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa Vuçiq kritikoi Kurtin që nuk po e zbaton “obligimin e dhjetë vjetëve më parë”.

Për BE-në, sipas fjalëve të një zyrtari të lartë, as teksti i këtij drafti e as reagimi i palëve ndaj tij nuk kanë qenë befasi.

Ky draft është përgatitur qysh nga viti 2018, por, deri më tash, nuk ka pasur pajtim mes palëve që ai të prezantohet në ndonjë takim të nivelit të lartë.

Kjo, sipas burimeve të BE-së, është bërë e mundshme vetëm pas Marrëveshjes së Ohrit, e cila është arritur në mars.

Për BE-në, ndërkaq, prezantimi i draft-statutit ka “rëndësi edhe simbolike, edhe përmbajtjesore”.

“Nuk e kishim parë dokumentin para prezantimit. Por, nuk ishte befasi për ne, sepse kishim dëgjuar qëndrimet e palëve më herët. Ishte propozim për kompetenca shumë të gjëra ekzekutive. Dhe, për ne nuk ishte befasi që Kurti e refuzoi. Kurti prezantoi propozimin e tij, krejt të kundërt nga drafti i Ekipit Menaxhues. Asgjë e papritur nuk ishte as kjo. Tash duhet të tentojmë t’i tejkalojmë dallimet mes palëve. Prandaj, prezantimi nuk ishte akt në vete, por nisje e një procesi të domosdoshëm“, thotë një zyrtar i lartë i BE-së.

Ai paralajmëron se ekspertët dhe kryenegociatorët në dialog tashmë janë ftuar të shkojnë në Bruksel dhe të vazhdojnë të diskutojnë, në mënyrë që të krijohen kushtet për një kompromis.

Data për këtë takim është duke u diskutuar mes ndërmjetësuesve nga BE-ja dhe delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas zyrtarit të lartë të BE-së, “diskutimet duhet të bazohen në marrëveshje dhe në praktika të mira evropiane“.

“Procesi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për fatin e dialogut. Pa pajtim rreth statutit dhe pa formimin e Asociacionit nuk mund të ketë sukses në dialog“, thotë ky zyrtar i lartë.

Vendosja e çështjes së krijimit të Asociacionit si “kusht mbi të gjitha kushtet“, megjithatë, bie ndesh me një pikë të aneksit për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve – për ç’gjë palët janë pajtuar në Ohër, më 18 mars.

Aty thuhet se renditja e pikave nuk reflekton edhe renditjen e prioriteteve dhe se të gjitha pikat kanë të njëjtën rëndësi. Por, përkundër kësaj, jo vetëm zyrtarë të lartë të BE-së, por edhe ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në secilën paraqitje publike, përmendin më së shumti krijimin e Asociacionit si prioritet kryesor.

Sipas zyrtarit të BE-së, nisja e procesit të themelimit të Asociacionit – që sipas Brukselit ndodhi në takimin e 2 majit – dëshmoi sesa larg janë palët nga njëra-tjetra. Sipas tij, ky takim tregoi se “kimia mes dy liderëve nuk është e mirë“.

Bashkimi Evropian bëri tentime ta sqarojë edhe mënyrën e formimit të “Ekipit Menaxhues” dhe rolin e tij.

BE-ja doli kundër interpretimeve të Kosovës se “me paraqitjen e draft-statutit, Ekipi Menaxhues e përfundon punën e vet dhe mund të shuhet“.

Sipas BE-së, “vendimi për shuarjen e Ekipit Menaxhues shkel edhe tekstin, edhe frymën e marrëveshjes“ dhe ai ekip duhet të ekzistojë derisa të miratohet statuti i Asociacionit.

BE-ja tha, po ashtu, se “Ekipi Menaxhues” ishte si një “delegacion në vete“ në takimin e nivelit të lartë në Bruksel dhe se nuk ishte “as në delegacionin e Serbisë, as në atë Kosovës“.

Sipas BE-së, formimi i këtij ekipi, po ashtu, është i sqaruar në marrëveshje dhe ai përbëhet nga persona që i propozon Serbia, por formalisht i emëron Qeveria e Kosovës.

Koordinatorja e këtij ekipi që udhëtoi në Bruksel për të paraqitur draft-statutin, është edhe deputete e Kuvendit të Serbisë.

Për këtë, kryeministri i Kosovës, Kurti, tha se ajo “është në konflikt interesi“.

Në BE pranojnë se dallimet rreth Asociacionit nuk do të jenë të lehta për t’u tejkaluar. Me gjithë vështirësitë, në BE këmbëngulin që të ketë një zgjidhje, sepse, në të kundërtën, siç përsërisin, dialogu nuk mund të ecë përpara./REL