A është Kosova e gatshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës?

Për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, Kosova duhet t’i pranojë parimet e sundimit të ligjit, ndarjen e pushteteve, zbatimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të sigurohet që e mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet.

Marketing

Legjislacioni i miratuar dhe zbatuar sipas parimeve të sundimit të ligjit dhe standardeve e normave të të drejtave të njeriut, është element thelbësor në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, thotë drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

Kosova më 12 maj ka aplikuar për anëtarësim në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se vendimin për aplikim në Këshillin e Evropës, Kosova e ka marrë në kohën e duhur dhe beson se vendi do të anëtarësohet në këtë mekanizëm.

“Deri më tani nuk kemi hasur asnjë rezistencë të besueshme, që na lë të kuptojmë se procesi mund të jetë i rrezikuar. Natyrisht, ne do t’i respektojmë të gjitha procedurat, do të jemi shumë të sinqertë, shumë të përkushtuar dhe seriozë gjatë gjithë këtij procesi. Dhe, ne shpresojmë që Kosova t’u takojë atyre shteteve, të cilave iu është dashur një kohë më e shkurtër për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”, ka theksuar Gërvalla, më 13 maj, në një konferencë për media në Prishtinë.

Aplikacionin për anëtarësimin në KE e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Ehat Miftaraj thotë se disa nga kriteret Kosova i ka plotësuar disa vite më herët, por ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, konsideron se vendi mund të përballet me sfida gjatë rrugëtimit për anëtarësim.

Sipas Miftarajt, Kushtetuta e Kosovës përcakton se ndarja e pushteteve është e qartë dhe ka garanci të larta sa i përket respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Qëllimi i Këshillit të Evropës është që shteti, me Kushtetutë dhe me ligje, të garantojë parimet e sundimit të ligjit, ndarjen e pushteteve dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Fatmirësisht, Kosova me Kushtetutë jo vetëm që i respekton të drejtat dhe liritë e njeriut, por në shumë raste i tejkalon ato, në kuptim të diskriminimit pozitiv të komuniteteve joshumicë. Edhe pushtetet janë të ndara”, vlerëson Miftaraj.

Pushtet shtetëror në Republikën e Kosovës janë pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe ai gjyqësor. Kuvendi i Republikës së Kosovës ushtron pushtetin legjislativ. Qeveria ushtron pushtetin ekzekutiv në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet. Ndërsa, pushteti gjyqësor është unik, i pavarur dhe ushtrohet nga gjykatat.

Po ashtu, në bazë të Kushtetutës, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës.

Komunitetet minoritet të njohura me Kushtetutë në Kosovë janë: komuniteti serb, ai boshnjak, rom, ashkali, egjiptian, goran dhe turk. Dy gjuhë zyrtare në nivel vendi janë gjuha shqipe dhe serbe, kurse sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjuha turke, boshnjake dhe rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në komunat ku jetojnë së paku pesë për qind e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, çdo pjesëtar i komuniteteve ka të drejtë që të shprehë, të avancojë dhe të zhvillojë lirisht identitetin dhe atributet përkatëse si komunitet. Në bazë të Kushtetutës, nga 120 ulëse në Kuvend, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera.

Ndër të tjera, në Kushtetutë thuhet se Republika e Kosovës do të promovojë frymën e tolerancës, dialogut dhe do të mbështesë pajtimin ndërmjet komuniteteve dhe do të respektojë standardet e përcaktuara me Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe me Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave.

E, në rast të shkeljeve të të drejtave të tyre të garantuara me ligj nga organet administrative apo gjyqësore në vend, Miftaraj thotë se qytetarët e Kosovës pas pranimit në Këshillin e Evropës, do të kenë mundësi t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg.

INTERESTING FOR YOU
Mgid
Mgid