Shtyrja e vendimit për ligjin për përdorimin e gjuhëve është në favor të kauzës së gjykatësve shqiptar dhe të shqiptarëve në përgjithësi, thotë gjykatësi i Kushtetueses Osman Kadriu, shkruan Alsat.
Ai thotë se gjykatësit një ditë më parë, gjetën thjeshtë alibi për të shtyrë vendimin.
“Prej tani e informojmë opinionin se ne dy shqiptarët, edhe në atë mbledhje nuk do të marrim pjesë meqenëse për informimin tuaj, në atë mbledhje asgjë nuk mund të realizohet. Ne mbledhje përgatitore kemi pasur. Nuk ka pasur alibi tjetër, shkak tjetër që Gjykata me shumicë të votave të sjell një vendim të tillë por me atë ne fitojmë në kohë, sepse pas mbledhjes përgatitore do të duhet përsëri një kohë që të përgatitet raport i ri”, tha Osman Kadriu, gjykatës i Gjykatës Kushtetuese.
Në mbledhjen e marsit do të thirren përpiluesit e iniciativave dhe ekspertë të fushës, pas raportit të mbledhjes do të duhet të përgatitet referat në përputhje me propozimet që do të jepen, qoftë për të shfuqizuar ligjin në tërësi, qoftë për shfuqizimin e disa dispozitave të tij.
Kadriu thotë se deri atëherë, duhet të shfrytëzohet koha për përmirësimin e mangësive të ligjit.
“Deri atëherë, subjekti politik shqiptar në qeveri dhe në parlament, ka kohë, dhe unë kam dhënë edhe sugjerime konkrete, që të intervenohet edhe në ligj, sepse ligji si ligj ka disa mangësi dhe paqartësi. Përskaj atyre unë jam munduar dhe e fitova betejën e parë që ligjit t’i jap statusin kushtetues, se ligji është kushtetues”, u shpreh Osman Kadriu, gjykatës i Gjykatës Kushtetuese.
Përveç mangësive ligjore, gjykatësi Kadriu bën thirrje që të rregullohet statusi i shqipes edhe në Kushtetutë.
“Nëse ka nevojë, kurse unë mendoj se ka nevojë dhe është i njoftuar edhe subjekti politik shqiptar, patjetër duhet të çelet edhe një herë Kushtetuta që të sqarohet çështja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, jo vetëm si e drejtë e pjesëtarëve të kombit shqiptar por gjuha shqipe si e drejtë kolektive e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, theksoi Osman Kadriu, gjykatës i Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese një ditë më parë miratoi vendim që për “Ligjin e Gjuhëve” të mbahet seancë përgatitore, në të cilën do të dëgjohen mendimet e ekspertëve “pro” dhe “kundër”, në lidhje me dispozitat kontestuese të tij.
E vetmja që e kundërshtoi atë ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila madje u përplas me gjykatësen Ana Pavllovska-Daneva. Kacarska vlerësonte se nuk duhet tu tregojë dikush se çfarë vendimi të marrin për çështje që vetë gjykatësit kushtetues duhet t’i dinë.
Sipas gjykatësve të tjerë, lënda është mjaft e ndjeshme dhe është me rëndësi që të dëgjohen palët.
Kryetari Darko Kostadinovski tha se çështja është mjaft e komplikuar, prandaj duhet të ketë edhe mendime të ekspertëve, sidomos lidhur me mënyrën se si do ta interpretojë Gjykata Kushtetuese amendamentin 5 të Kushtetutës, në të cilin gjuhë zyrtare në shtet, krahas maqedonishtes është edhe gjuha tjetër që e flasin të paktën 20% e qytetarëve të vendit.
Seancën e bojkotuan gjykatësit shqiptarë Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, me qëllim parandalimin e votimit, kurse atyre më vonë ju bashkua edhe gjykatësi i komunitetit turk, Fatmir Skender.
Lënda për “Përdorimin e Ligjit të Gjuhëve”, e cila është formuar nga 13 iniciativa të dhjetëra qytetarëve, profesorëve dhe partive maqedonase, ishte mbajtur për 5 vite me radhë në sirtar.
Dorëzuesit e iniciativave kontestojnë tërë ligjit, përveç paragrafit 1 të nenit 1 që thotë se “gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare”./ Alsat.mk