A ka krizë për furnizim të vajit për ushqim? Përgjigjet ministri Bekteshi

Vendi nuk ka krizë me prodhim dhe furnizim të vajit për ushqim, siguroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Prodhuesit e vajit janë në kondicion të plotë, kurse në mënyrë shtesë nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë shikohen mundësi për subvencionim të kompanive prodhuese të vajit. Sa i përket rritjes së çmimit të vajit, Bekteshi tha se ajo u shkaktua si pasojë e rritjes së çmimit nëpër bursa botërore.

Marketing

“Vendi ka tre prodhues të mëdhenj të vajit për ushqim dhe ne jemi në komunikim të rregullt me ta. Marrë parasysh se ka rritje të bursave të vajit, prandaj ka rritje të caktuara të çmimeve. Më e rëndësishme në momente të këtilla është që në Maqedoninë e Veriut nuk ka problem me prodhimin dhe furnizimin me vaj për ushqim. Ne e ndjekim rregullisht situatën dhe nëse është e nevojshme do të sjellim masa shtesë me qëllim të ulim shtypjen në pjesën e çmimeve.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Megjithatë sa i përket ankesave se nëpër disa markete nuk ka vaj, Bekteshi apeloi te qytetarët se në rast se shohin parregullsi të tilla të lajmërojnë Inspektoratin Shtetëror të Tregut.

“Inspektorati shtetëror i tregut në mënyrë të rregullt kryen kontrolle dhe në përputhje me rregulloret ligjore dhe në bazë të vendimeve të miratuara nga Qeveria menjëherë do të veprojnë dhe do të ndërmarrin hapat në rast se tregtarët në pakicë nuk janë furnizuar, kurse në polisat e tyre nuk ka vaj për ushqim. Në rast se ato ruajnë rezerva, ajo është në kundërshtim me vendimin e qeverisë dhe në kundërshtim me Ligjin për mbrojtje të konsumatorëve sigurisht që ISHT ka të drejtën ligjore të kontrollojë dhe të marrë masat e duhura.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ministri i ekonomisë Bekteshi informoi se në përputhje me programin e sipërmarrësisë dhe aftësisë konkurruese të ndërmarrjeve të vogla për vitin 2022, Ministria e Ekonomisë ka shpallur dy thirrje publike për mbështetje të 250 kompanive vendore.