Nga Qeveria nuk ka ndonjë shpjegim konkret lidhur me shkarkimin e drejtorit gjeneral të “Postës së Maqedonisë”, Jani Makraduli. Në konferencën e sotme për shtyp, u lexua kumtesa e djeshme e qeverisë që ka të bëjë me vendimin qeveritar.
“Është konstatuar që Qeveria t’i rekomandojë Këshillit Mbikëqyrës të Shoqatës Aksionare për Komunikacion Postar “Posta e Maqedonisë së Veriut” ta shkarkojë Jani Makradulin nga detyra – kryetar i Këshillit Drejtues dhe drejtor i përgjithshëm“, tha Dushko Arsovski, zëdhënës i Qeverisë.
I pyetur për arsyen e shkarkimit, zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski u përgjigj shkurt se është për përmirësimin e funksionimit të Postës. Nuk ka përgjigje konkrete nëse shkarkimi i Makradulit ka lidhje me rastin e ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zeqiri kundër të cilit ka akuzë për lidhje të marrëveshjes sy me sy për shërbime konsultative për privatizimin e Postave të Maqedonisë.
“Qeveria i rekomandoi Bordit mbikëqyrës të Postës së Maqedonisë së Veriut për shkarkimin e Jani Makradulit për shkak të përmirësimit të gjendjes së kompanisë dhe përforcimit të kapaciteteve të menaxhmentit”, pohoi Dushko Arsovski, zëdhënës i Qeverisë.
TV21: A është lidhur shkarkimi i Jani Makradulit me rastin e ish sekretarit të përgjithshëm Muhamed Zeqiri?
-Mundemi vetëm ta përsërisim atë që e kemi thënë në lidhje me arsyen për shkarkimin e tij, se është për përmirësimin e gjendjes së kompanisë dhe përforcim të kapaciteteve të menaxhmentit.
Për shkarkimin e Makradulit që dje u përpoqëm që të marrim qëndrim personalisht prej tij, por ai na tha se për shkaqet duhet t’i kërkojmë përgjigjet atje ku e ka shkarkuar. Në pozitën e Makradulit në Postat e Maqedonisë është emëruar zëvendësi i deritanishëm i drejtorit të Agjencisë për punësim, Vasko Stefanov. Për Stevo Kërstevskin, drejtori i deritanishëm i Fondit për sigurim shëndetësor, nga Qeveria thonë se ai vetë ka dhënë dorëheqje për arsye personale. Si ushtruese detyrës drejtore e Fondit është emëruar kryetarja e deritanishme e Këshillit për inspektim, Magdalena Filipovska-Grashkovska.