A mund të jetohet nga bujqësia?!

Në krahasim me vitin e kaluar, sivjet 30% ka më pak tokë të mbjellur me grurë. Pasi të llogariten harxhimet për transport, çmimi blerës prej 8 denarësh është shumë i ulët, ankohen prodhuesit e grurit. Ata kërkojnë nga Qeveria që të bëhet blerje intervenuese.

Marketing

“Çmimi i grurit sivjet ishte i turpshëm dhe nënçmues, për të gjithë ata që presin bukën e tyre ta sigurojnë nga kjo kulturë”, tha Veljo Tantarov – lidhja e bujqve.

Këtë vit, fara e bukës nuk është aq cilësore për shkak të reshurave të shiut. Në disa vende, korrja filloi me vonesë, kurse e njëjta pritet të përfundojë pas një jave. Që bujqit të mund të sigurohen se është momenti i vërtetë për korrje kanë edhe një truk të tyre. Një, dy tre, plasi… do të thotë se është koha për korrje.

Maqedonia tashmë disa vite nuk mund t’i plotësojë nevojat e saja. Për shkak të kësaj, shteti duhet të importojë grurë dhe miell nga vendet fqinje. Arsyen për çmimin e ulët blerës, bujqit e shohin pikërisht në importin e madh. Megjithatë, pas kamerës, ata pranojnë se ka edhe blerës të egër nga Greqia të cilët ofrojnë çmime më të larta.

“Arsyeja për këtë gjendje me grurin është në importin e madh të miellit nga Serbia dhe unë do të them, le të dijë opinioni, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga Kosova. Në Kosovë gjendet mulliri më i madh në Ballkan, kurse kosovarët nuk kanë grurë për prodhim as për pulat e tyre”, u shpreh Veljo Tantarov – lidhja e bujqve.

Aktualisht Maqedonia ka çmim më të ulët blerës në tërë rajonin.

ÇMIMI PËR NJË KILOGRAM GRURË NË RAJON
MAQEDONIA – 7-8.5 DENARË
KROACIA – 8.84 DENARË
SERBIA – 9.12
BULLGARIA – 10.55 DENARË

Sipërfaqet me grurë janë më të pakta, sepse shpenzimet për prodhim po rriten, ndërsa çmimet blerëse po bien. Sivjet, pritet të korret rreth 200.000 tonë grurë. Nga Lidhja e Bujqve kërkojnë takim urgjent me kryeministrin, Zoran Zaev.
“Kërkojmë që në fillim të javës së ardhshme të realizojmë takim me kryeministrin tonë, i cili vjen nga fshati dhe është në dijeni me hallet e fshatarëve. Me ato halle ai arriti të bëhet kryeministër. Kërkojmë që të ulemi dhe të bisedojmë se çfarë të bëjmë më tej. Ne nuk jemi kundër asaj që Qeveria jep subvencione për industrinë tekstile dhe industritë e tjera, por Qeveria duhet të gjejë një zgjidhje se si të mbijetojnë këto 190.000 familje që merren me kulturat e drithërave”, tha Veljo Tantarov – lidhja e bujqve.

Nëse kjo situatë nuk zgjidhet, nga Lidhja e Bujqve, thonë se sipërfaqet e mbjella me grurë do të reduktohen, kurse kjo do të çojë deri në import edhe më të madh të grurit dhe miellit në vend, respektivisht do të bëhemi të varur nga importi i grurit, i cili paraqet ushqim kryesor në vendin tonë.

Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, thonë se me vendimin e Qeverisë është shpallur tender për furnizim të grurit, i cili do të zgjasë deri më 15 gusht dhe shtojnë se subvencionimi është rritur. Nga Ministria theksojnë se çdo blerës i regjistruar i grurit që do të blejë grurë vendas dhe do ta paguajë deri më 15 dhjetor të këtij viti, do të marrë subvencion prej një denarë për kilogramë grurë të blerë. Derisa nuk zgjidhen problemet e bujqve, grurin e gëzojnë vetëm më të rinjtë.

Marketing