Sipas Azirit, Komisioni Ad-hok për ndjekjen e përfaqësimit të drejtë që e ka kërkuar BDI gjatë dakordimit për përkrahjen e ligjit, është punë jo serioze dhe nuk paraqet asgjë, për shkak se siç thekson, përveç institucioneve në nivel shtetëror, përfaqësimin e drejtë e kontrollojnë edhe disa komisione të kuvendit.
“Ne nuk u pajtuam me këtë, neve na dukej formimi i komisioneve joserioze, kuvendi ka disa komisione. Njëri prej këtyre komisioneve është komisioni anketues. Që nesër mund të mblidhet Komisioni anketues, ta tregojë qëndrimin dhe vendimin e tij, të shkojmë në institucionet përkatëse dhe të shohim se si është përfaqësimi. Ky komision i panevojshëm nuk do të japë asnjë rezultat. Do të rezultojë me dy-tre faqe shkrim zyrtar, do të dalë Blerim Bexheti në Kuvend, do ta lexojë raportin dhe kaq”, shtoi Elmi Aziri nga Fronti Europian.