Abdixhiku: Takimi me Osmanin i frytshëm, dalim me qëndrim pas konsultimeve të brendshme

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se takimi me pretendenten për presidente Vjosa Osmani ka qenë i frytshëm dhe pozitiv.

Marketing

“Pas ftesës së Vjosa Osmanit, ne sot kemi mbajtur takim bashkë me nënkryetarin Lutfi Haziri dhe në këtë takim kemi diskutuar çështjet me interes rreth formimit të institucionit të presidentit. Takimi ka qenë i frytshëm dhe pozitiv dhe është zhvilluar në atmosferë të mirë mes njerëzve që kanë bashkëpunuar një kohë të gjatë”.

“Kemi diskutuar platformën që pretendentja për presidente dëshiron ta ndërtojë në rolin që synon dhe në këtë platformë kemi dhënë mendimet dhe diskutimet tona. Nuk kemi vërejtje sa i përket përmbajtjes së platformës. Kemi diskutuar pozicionin e saj karshi akterëve partiakë në të ardhmen dhe kemi avancuar në këto diskutime”.

Abdixhiku ka paralajmëruar edhe një takim të ardhshëm, derisa ka thënë se qëndrimin final nëse LDK-ja do ta mbështesë Vjosa Osmanin për presidente do ta marrin në organet e partisë, njofton Klan Kosova.

“Do të kemi edhe një takim të ardhshëm shumë shpejt. Do t’i kthehemi organeve të partisë për të informuar në detaje rreth përmbajtjes së këtij takimi. Besoj se pas konsultimeve të brendshme dhe vazhdimit të konsultimeve me Osmanin do të kemi edhe qëndrimin tonë përfundimtar. Ajo që kemi parë sot është që ka qenë një frymë dhe intencë pozitive nga të gjitha anët për ta bërë zhbllokimin e situatës së tanishme”.