Abdullah Uçmak dënohet me 30 vjet burg për tentim vrasje ndaj Ibrahim Tatlises

Është dhënë gjykimi për Abdullah Uçmak, i cili plagosi këngëtarin e famshëm turk, Ibrahim Tatlises me armë në vitin 2011.

Të pandehurit u shqiptua dënimi nga Gjykata Turke me 30 vjet burg për ‘vrasje në tentativë me paramendim’, shkruan Haber Turk.

Marketing

Këngëtari, i cili ka famë edhe në Greqi dhe Lindjen e Mesme u plagos rëndë gjatë një sulmi në Stamboll po atë vit, kur po largohej nga Nurol Plaza në Maslak.

Tatlises dhe shoqëruesi i tij ishin sulmuar aso kohe nga pesë persona të paidentifikuar.

Ngjarja kishte ndodhur pas daljes së tij nga zyrat e kanalit televiziv Beyaz TV pas mesnate, dhe kishte qenë duke hipur në veturë kur ndodhi sulmi.

Sipas njoftimeve në media, persona të armatosur me Kalashnikov u panë të largohen me veturë.

Tatlises dhe shoqëruesi i tij ishin dërguar në spital ku edhe iu nënshtruan një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Përgjegjësinë për sulmin nuk e mori asnjë grup, por disa gazeta kanë shkruar se Tatlises është qëlluar më parë në këmbë në vitin 1990, ndërsa në vitin 1998 i shpëtoi pa lëndim një atentati tjetër.