Adem Curri: Objektet, subjektet dhe rutina

Shkruan: Adem Curri

Marketing

Hapja e objekteve fetare dhe praktikimi i adhurimeve kolektive gjatë këtij muaji të bekuar ka vlerën e madhe në jetën e besimtarit. Qëllimi i adhurimeve të përbashkëta është zbutja e zemrave, bashkimi i tyre, rritja e solidaritetit, rritja e mirësisë, përhapja e faljes mes njerëzve, mospasja dallim ndërmjet të varfërve dhe të pasurve dhe shumë urtësi të tjera që ndoshta akoma nuk i kemi mësuar.

Në frymën e aktualitetit në ballafaqimin me krizën e pandemisë me përmasa botërore, shtrohet pyetja: ”Vallë, a morëm mësim nga këto rrethana që na u imponuan, apo jo?” Ndoshta kjo gjendje ishte një kufizim që t’i kthehemi vetes e të shohim se kush jemi dhe ku i kemi defektet në veten tonë e pastaj t’i qasemi kolektivitetit. A thua e morëm mësimin që së pari duhet të jemi njerëz e pastaj t’u drejtohemi objekteve? A e mësuam se Zoti gjendet në zemra, e jo në objekte, apo i hyjnizuam aq shumë objektet saqë i harruam zemrat. Apo ndoshta rutina i ka fajet. Siç duket akoma nuk e kemi kuptuar mësimin.

Deri para krizës objektet funksiononin, por zemrat i kishim të mbushura plot urrejtje, smirë e xhelozi. Atëherë cili është qëllimi i adhurimit të përbashkët? A jemi mjaftueshëm solidarë, humanë, të drejtë, apo akoma veprojmë e gjykojmë sipas epshit, e mbajmë distancën për shkak të urrejtjes, e sa të kemi mundësi bëjmë dëme në shoqëri e ku të mbërrijmë. Apo gjithçka është bërë rutinë e miks i përzier, objekte subjekte, grupime e tifozeri të gjitha në një vend duke mos i veçuar vlerat nga antivlerat. A thua ne nuk e mbajmë përgjegjësinë për atë që nuk arritëm t’ia mësojmë tërë botës që gjithçka që lëviz nuk hahet, a thua jemi shembull që më të dëgjuar që është mesazh nga ne e kthejnë kokën njerëzit. Çfarë na solli në këtë gjendje? Deri kur interesi material dhe urrejtja na ngulfaten dhe kemi filluar ta ngatërrojmë objektin me subjektin dhe adhurimin me rutinën. Pejgamberi a.s. na ka mësuar për vlerën e jetës së njeriut e cila ka peshë tek Allahu shumë më shumë sesa Qabeja e bekuar. Ku mbetën jetët tona, shpirtrat tanë, e ku mbeti humanizmi ynë, ku mbetën porositë dhe mësimet tona?

Kemi ndërtuar objekte sa kemi mundur, por me to i kemi përçarë njerëzit. A thua kur do të kthehemi e të investojmë në qenien njerëzore, kur do të formojmë njerëz të shëndoshë, kur do të krijojmë karaktere që do ta udhëzojnë popullin në rrugën e duhur, apo me rëndësi është objekti, kleriku apo udhëheqësi?

Vallë, a nuk është koha të mendojmë se ku qëndron problemi?

Objekt pranë objekti, ndërsa shumë e më shumë të hutuar, të humbur e të degjeneruar si asnjëherë më parë. Ndoshta duhet të merremi pak me shkaqet që ta tejkalojmë rutinën meqë u lodhëm me formalitete.

Klerik fetar e udhëheqës, aman lërini format e rutinat meqë jeni bërë të bezdisshëm, por përçoni mesazhin e vërtet hyjnor se çfarë na mëson feja. Ju lutem, mos i manipuloni turmat me objekte, forma e rutina se me tifozeri e politikë nuk përmirësohen zemrat tona.

Zoti është në zemrat tona, se sa është ajo varet nga vet ne, sa marrim mësim nga porositë e urta të Tij dhe sa do ta tejkalojmë veten në keqbërje, urrejtje dhe xhelozi të paarsyeshme.

Zoti është i Drejtë, Mëshirues, Bujar, Falës e i Dashur dhe i do zemrat që kanë drejtësi, mëshirë, bujari, falje e dashuri.

Marketing