Ademi: Brezat e rinj duhet të edukohen të jetojnë bashkërisht në një shoqëri dhe në një bashkësi

Të gjithë brezat e rinj të nxënësve duhet të edukohen të jetojnë së bashku në një shoqëri dhe në një bashkësi me ata të cilët janë më ndryshe se vetja, sepse ky është virtyt, përparësi, dhe bazë për prosperitet të përgjithshëm, ndërsa nuk është diçka e padëshiruar dhe rrezik për konflikt, porositi ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi në manifestimin “Së bashku ndërtojmë ura” që sot realizohet në Guacën e Parkut të Qytetit në Shkup në bashkëpunim me OSBE-në.

Marketing

Ai potencoi se Ministria e përkrah dhe në mënyrë të drejtpërdrejt merr pjesë në realizimin e projektit “Së bashku ndërtojmë ura”, i cili, siç tha, është një nga më të suksesshmet të implementuara në fushën e arsimit dhe theksoi se përfitimet e zbatimit të tij tashmë ndjehen në tërë vendin.

“Fokusi kryesor në projekt janë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, mësimdhënësit e tyre dhe udhëheqësitë të cilët organizojnë aktivitete të ndryshme përmes të cilave më të rinjtë njoftohen me vlerat më themelore njerëzore, etike dhe morale për tolerancë dhe respekt ndaj dallimeve dhe për respektim të traditave kulturore dhe fetare të të tjerëve dhe tradita të bashkësive etnike”, deklaroi Ademi.

Paralajmëroi se pret projekti të vazhdojë të ndërtohet edhe në periudhën që vijon.

Klemens Koja, shef i misionit të OSBE-së në Maqedoni, potencoi se në ngjarjen e sotme në Shkup të pranishëm janë nxënës nga 27 shkolla të vendit.

“Është kënaqësi ta përkrahim këtë projekt sepse jemi të bindur se bashkimi i nxënësve nga komunitete të ndryshme veçanërisht është e rëndësishme. Për atë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale bashkëpunojmë në këtë projekt i cili është përkrahur nga grantet e vendeve të ndryshme”, tha Koja.