Ademi – Goldstajn: Prioritet arsimi i integruar dhe aktivitet që parandalojnë çdo lloj dhune mes nxënësve

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, sot zhvilloi takim me ushtruesin e detyrës Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, Xhef Goldstajn, ku u diskutua për gjendjen aktuale në sferën e arsimit në Republikën e Maqedonisë dhe për prioritetet në të cilat do të fokusohet puna e Ministrisë në periudhën e ardhshme.

Marketing

Gjatë këtij takimi ministri Ademi ka informuar për përmbajtjen e Strategjisë për zhvillimin e arsimit dhe reformat aktuale që realizohen në sferën e arsimit fillor dhe të mesëm, si dhe ka theksuar faktin se është veçanërisht i rëndësishëm edhe angazhimi për të ndërtuar një mjedis të sigurt dhe harmonik shkollor, kurse mbështetja që në këtë segment e ofron OSBE-ja është në nivel jashtëzakonisht të lartë dhe kontribuon në arritjen e aktiviteteve të planifikuara dhe arritjen e pritjeve.

Ademi me këtë rast ka shtuar se zhvillimi i arsimit të integruar, respektivisht ndërtimi i bashkëjetesës në shkolla dhe zbatimi i aktiviteteve parandaluese me qëllim parandalimin e çdo lloj dhune midis nxënësve, do të jetë një nga prioritetet gjatë mandatit të tij, pasi kjo është veçanërisht e rëndësishme në shoqëritë multietnike dhe multikulturore, siç është shoqëria e jonë.

Ushtruesi i detyrës shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, Xhef Goldstajn e ka uruar ministrin Ademi për marrjen e postit, duke theksuar se organizatën të cilën ai e përfaqëson mbetet partnere strategjike e Republikës së Maqedonisë jo vetëm në proceset për rritjen e arsimit të integruar, por edhe në të gjitha segmentet dhe sferat e tjera arsimore.

Përndryshe, me mbështetjen e OSBE-së në Maqedoni, janë zbatuar projekte të shumta që inkurajojnë tolerancën ndëretnike, ndërveprimin dhe mirëkuptimin, siç është projekti “Ndërtojmë ura” dhe “Shkolla të sigurta – ambient i harmonizuar”, si dhe aktivitete për avancimin e infrastrukturës arsimore.

 

Marketing